Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot me 4 shtator marrëveshjen historike në Uashington.
Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Twitter, asistenti i presidentit Trump, Judd Deere.
“Donald Trump ka njoftuar se Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord për normalizimin ekonomik. Një marrëveshje tjetër historike e arritur nga ky President për ta bërë botën një vend më paqësor, më të begatë”, ka shkruar ai.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donlad Trump.
Marrëveshja pason diskutimet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë që u zhvilluan më 3 shtator në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, dhe të dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Me këtë marrëveshje, Kosova gjithashtu është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.
Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.
Në marrëveshje po ashtu përmendet se Kosova dhe Izraeli e pranojnë njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem.
Ndryshe, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor, 2019, presidenti Trump, emëroi Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve, shkruan Telegrafi. /Telegrafi/
#BREAKING | President @realDonaldTrump has announced that Serbia and Kosovo have agreed to economic normalization. Another historic agreement reached by this President to make the world a more peaceful, prosperous place. ?? ?? ??
— Judd Deere (@JuddPDeere45) September 4, 2020