Site icon Telegrafi

Shtëpia e Bardhë rikthen konferencat për shtyp mbi coronavirusin

Presidenti amerikan Donald Trump bëri të ditur se do t’i fillojë sërish konferencat për shtyp në Shtëpinë e Bardhë lidhur me situatën e krijuar nga coronavirusi, në një kohë kur numri i të infektuarve në shkallë vendi vazhdon të rritet.

Vendimi i presidentit për zhvillimin e konferencave të përditshme vjen ndërsa sipas sondazheve mbështetja ndaj tij ka rënë dhe këshilltarët e kanë inkurajuar të japë më shumë informacion rreth përgjigjes së administratës së tij ndaj pandemisë.

Gjasat janë që konferencat të nisin të martën.

Presidenti pritet të flasë lidhur me përparimin e shënuar në fushën e mjekësisë për të luftuar pandeminë, përfshirë vaksinat dhe terapitë.

Nuk është e qartë nëse presidenti Trump do të pranojë pyetje gjatë konferencave për shtyp apo nëse do ta ndajë podiumin me të tjerë, përfshirë nënpresidentin Mike Pence dhe ekspertët e shëndetit publik Anthony Fauci dhe Deborah Birx.

Kohët e fundit zoti Trump e ka kritikuar zotin Fauci, ekspertin kryesor të sëmundjeve infektive të vendit.

Gjatë një interviste për “Fox News” që u transmetua të dielën, zoti Trump tha se zoti Fauci është “paksa alarmist”. Megjithatë presidenti shtoi se ka “një marrëdhënie të shkëlqyer me të”. /VOA/

Exit mobile version