Site icon Telegrafi

Shtëpia e Bardhë pranoi se gjendja e Trumpit ishte më e keqe sesa fillimisht kishin raportuar

Shefi i Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows pranoi se shëndeti i presidentit, Donald Trump ishte dukshëm më i keq nga sa ishte njoftuar fillimisht të premten.

Ai më tutje ka shtuar se mjekët i kishin rekomanduar presidenti që të shtrohet në spital për shkak të etheve dhe rënies së nivelit të oksigjenit në gjak.

Në një intervistë me Fox News-in, Meadows komentoi raportet kontradiktore dhe të paqarta në lidhje me shëndetin e presidentit 74-vjeçar, i cili është infektuar me coronavirus, transmeton Telegrafi.

“Dje në mëngjes ishim vërtet të shqetësuar. Ai kishte ethe dhe i kishte rënë niveli i oksigjenit në gjak. Por në stilin e tij tipik, presidenti ishte në këmbë dhe po ecte”, tha Meadows, duke theksuar se presidenti tani po rimerr veten.

“Unë mund t’ju them këtë, gjëja më e rëndësishme është që tani nuk ka ethe dhe se presidenti është me të vërtetë mirë kur bëhet fjalë për oksigjenin në gjak”, shtoi Meadows.

Lexo po ashtu Trump i kishte pyetur ndihmësit e tij nëse do të vdiste nga COVID-19, pretendon gazetari amerikan

Ndryshe, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Meadowsin, të premten kanë deklaruar se presidenti ka “simptoma të lehta” dhe po vazhdon të punojë në Zyrën Ovale. /Telegrafi/

Exit mobile version