Site icon Telegrafi

Shtëpia e Bardhë paralajmëron Kinën në lidhje me praktikën për të prodhuar më shumë sesa duhet

SHBA-ja do të përdor mjete kufizuese si tarifat për të kundërshtuar praktikën e Kinës për të prodhuar shumë më tepër mallra sesa i duhen për të dominuar tregjet globale, ka njoftuar zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Daleep Singh.

“Pra, ky është problemi dhe nuk është abstrakt. Mund ta shihni në numra”, tha Singh gjatë një ngjarjeje të organizuar nga Aleanca për Prodhimin Amerikan.

Siç raportohet, Pekini dhe Uashingtoni kanë pasur marrëdhënie të tensionuara prej vitesh për shkak të çështjeve të shumta që variojnë nga tarifat tregtare dhe origjina e COVID-19 tek të drejtat e njeriut, pronësia intelektuale dhe Tajvani.

Por, Singh nuk dha detaje mbi ndonjë masë të re që po shqyrtohet nga Uashingtoni, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Të dhënat treguan se Kina kishte një mbikapacitet të konsiderueshëm në krahasim me kërkesën e parashikuar për automjetet elektrike, bateritë ose gjysmëpërçuesit.

Singh tha se “një numër në rritje vendesh”, duke përfshirë Brazilin, Indinë, Afrikën e Jugut dhe Bashkimin Evropian, po fillonin ta shihnin mbikapacitetin industrial si një problem madhor, duke shtuar se Kina po përdor prodhimin për të fituar dominim në një numër sektorësh.

“Kina po vërshon sektorët strategjikë me ofertë që është shumë përtej asaj që kërkesa globale mund të thithë në mënyrë të besueshme”, deklaroi zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

Ai tha se Kina kishte përdorur prej kohësh të njëjtat taktika për të fituar dominimin në çelik, pajisjet diellore dhe mjekësore, por tendenca tani po “zgjerohet dhe intensifikohet” për të përfshirë automjetet elektrike, bateritë dhe gjysmëpërçuesit, ku Uashingtoni ka investuar shumë.

Uashingtoni më parë ka thënë se SHBA-së mund t’i duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme dhe “më kreative” përtej tarifave për të mbrojtur industritë dhe punëtorët amerikanë kundër kapacitetit të tepërt industrial në rritje të Kinës. /Telegrafi/

Exit mobile version