Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow, do të presë të hënën në takim drejtuesit e kompanive teknologjike për të diskutuar ndalimin e shitjeve të produkteve të Huaweit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, gjithashtu do të marrë pjesë në ngjarjen e Shtëpisë së Bardhë, në të cilën janë ftuar kompanitë Intel Corp dhe Qualcomm.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se takimi do të zhvillohet duke vënë në dukje se Google dhe Micron do të merrnin pjesë, por se ishte thirrur për të diskutuar çështjet ekonomike, përcjell Telegrafi.
E ardhmja e lidhjeve të kompanive amerikane me Huawein mbetet e pasigurt pasi Administrata e presidentit amerikan Donald Trump e vendosi kompaninë në një listë të zezë, duke përmendur shqetësimet për sigurinë kombëtare.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, ka thënë se licencat do të lëshohen aty ku nuk ka kërcënim për sigurinë kombëtare.
Intel dhe Qualcomm refuzuan të komentojnë për takimin, ndërsa Google, Micron, Microsoft dhe Broadcom nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. /Telegrafi/