Telegrafi

Shtëpia e Bardhë: Ka informata të reja për përfshirjen e rusëve në zgjedhje

Shtëpia e Bardhë ka ftuar drejtuesit e Komitetit të inteligjencës nga radhët e republikanëve dhe demokratëve në Senat dhe Dhomën Përfaqësuese për të shikuar materialin e ri, i cili është relevant për hetimet e tyre rreth pohimeve për përfshirjen ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA, tha të enjten zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

“Janë paraqitur informacione, material i cili ka dalë në dritë, dhe tash dëshirojmë të jemi të sigurt se njerëzit që po kryejnë hetimet të njihen me të”, ka theksuar Spicer për media, duke mos ofruar informacione tjera.

Drejtori i FBI-së, James Comey kah mesi i marsit konfirmoi se agjencia e tij po heton tentimet e mundshme të qeverisë ruse që të ndikojnë në zgjedhjet e vitit të kaluar, përfshirë edhe lidhjen e mundshme të kampanjës së presidentit Donald Trump me Moskën.

Comey në dëshminë para Kongresit tha se hetimet përfshijnë edhe vërtetimin e lidhjeve ndërmjet individëve të afërt me kampanjën e Trump dhe qeverisë ruse, dhe nëse ka pasur koordinime ndërmjet kampanjës dhe aktiviteteve ruse.