Site icon Telegrafi

Një grup liderëve të Kongresit ka pranuar informacion të klasifikuar sa i përket Iranit

Një grup i caktuar i liderëve të Kongresit amerikan ka pranuar informacion të klasifikuar sa i përket Iranit.

Ky hap i Shtëpisë së Bardhë ka ardhur pas ankesave që ligjëvënësit kanë bërë për mungesë të informacioneve, që lidhen me masat e fundit ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Lindje të Mesme.

Këto të dhëna të klasifikuara të inteligjencës amerikane u janë nisur të ashtuquajturit, Grupit të Tetëshes, që përbëhet nga katër demokratë dhe katër ligjvënës republikanë.

Njoftime të llojit të ngjashëm pritet të ndodhin edhe në gjithë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve javën e ardhshme, kanë raportuar mediat amerikane, duke cituar burimet e tyre.

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, anëtare e këtij grupi, ka thënë se mosinformimi i Kongresit tregon se administrata e presidentit amerikan “nuk ka të drejtë” pasi Kongresi i vetëm ka fuqinë për të shpallur luftë.

“Unë shpresoj se këshilltarët e presidentit kanë njohuri se ata nuk kanë autorizim për të shkuar më tutje” kundër Teheranit, është shprehur ajo.

Në kohën e rritjes së tensioneve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, Uashingtoni ka njoftuar se ka pozicionuar një aeroplanmbajtëse dhe disa pajisje tjera ushtarake në Gjirin Persik, për të luftuar ato që zyrtarët amerikanë i kanë cilësuar si “shenja të qarta” të kërcënimit të Teheranit në interesat amerikane dhe të aleatëve të SHBA-së në rajon.

Zyrtarët amerikanë u kanë thënë aleatëve të tyre evropianë se vendosja e këtyre pajisjeve ka qëllime të mbrojtjes.

Përfaqësuesi special i SHBA-së për Iranin, Brian Hook, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni “është vetëm duke synuar të ketë masa parandaluese”.

“Ne nuk jemi duke nxitur konflikt”, është shprehur ai.

Një ditë më parë presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ai është i sigurt se Teherani shumë shpejt do të kërkojë negociata me Uashingtonin.

Tensionet janë rritur mes këtyre dy shteteve prej majit të vitit të kaluar, kur Shtetet e Bashkuara janë larguar nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Sipas marrëveshjes, Irani është zotuar për frenim të aktivitetit bërthamor, në këmbim të lirimit nga sanksionet ndërkombëtare.

Kur ishte larguar nga kjo marrëveshje, Trump pati thënë se kushtet e këtij dokumenti nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra për të parandaluar Iranin në të krijuarit e armëve bërthamore, si dhe nuk ka përmendur mbështetjen e këtij shteti për grupet militante në rajon. /rel/

Exit mobile version