Presidenti amerikan, Donald Trump, ka biseduar me telefon me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që është kontakti i tyre i parë prej inaugurimit të Trumpit në postin e presidentit më 20 janar.
Shtëpia e Bardhë tha se biseda telefonike e zhvilluar mbrëmë vonë ishte “pozitive” dhe “fillim i rëndësishëm për përmirësim të raporteve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që kanë nevojë për ripërtritje”.
“Presidenti Trump dhe presidenti Putin shpresojnë se pas bisedës së sotme të dy palët mund të lëvizin më shpejtë për tu marrë me terrorizëm dhe çështjet e tjera të rëndësishme të shqetësimit të dyanshëm”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Shtëpisë së Bardhë, të publikuar pas bisedës telefonike, transmeton REL.
Nga ana tjetër, Kremlini tha se Putin dhe Trump ishin në favor të idesë për koordinim të aksioneve ruse dhe amerikane në Siri, me qëllim që t’i shkaktohet disfatë grupit, Shteti Islamik, dhe atyre që presidenca ruse i ka cilësuar si “grupe të tjera terroriste”.