Shtëpia e Bardhë ka pezulluar kredencialet e korrespodentit të CNN-it në Shtëpinë e Bardhë, pas një shkëmbimi fjalësh të zjarrta me presidentin amerikan Donald Trump.
Kjo pasi që, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një nga pjesëtarët e stafit të Shtëpisë së Bardhë u përpoq ta kapte mikrofonin nga gazetari i CNN, Jim Acosta, në konferencën për shtyp të mërkurën.
Por sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se qasja i është hequr, sepse gazetari i ka vënë “duart e tij në një grua të re”.
Ndërkohë, Acosta e ka quajtur pretendimin e zonjës Sanders “një gënjeshtër”.
Ndërsa presidenti Trump ka thënë se gazetari i CNN ishte një “person i vrazhdë, i tmerrshëm” gjatë konferencës së shtypit.
Por çfarë ndodhi në konferencë?
Gazetari Acosta sfidoi pohimet e fundit të Trump për një karvan të emigrantëve që shkonte në SHBA nga Amerika Qendrore.
Një anëtar i stafit femër më pas u përpoq të merrte mikrofon nga gazetari.
“Kjo është e mjaftueshme, kjo është e mjaftueshme”, i tha presidenti gazetarit Acosta, para se t’i thoshte të ulet dhe të jepte mikrofonin e tij.
“CNN duhet të ketë turp, pasi ju punoni për ta”, tha ai. “Mënyra se si e trajtoni ju Sarah Huckabee [Sanders] është e tmerrshme”.
Çfarë tha Shtëpia e Bardhë?
Zonja Sanders, në një deklaratë të postuar në Twitter, tha se Shtëpia e Bardhë “nuk do të tolerojë asnjëherë një gazetar që t’i vendos duart në një grua të re, e cila ishte vetëm duke u përpjekur të bëjë punën e saj”.
“Si rezultat i incidentit të sotëm, Shtëpia e Bardhë pezullon qasjen e gazetarit të përfshirë, deri në njoftimin e mëtejshëm”. /Telegrafi/