Site icon Telegrafi

Shtëpia e Aleksandër Moisiut

Moikom Zeqo

Në rrugën “Naim Frashëri” të lagjes Nr.1 në Durrës ndodhet akoma edhe sot një ndërtesë dykatëshe, e madhe, e punuar me gurë të bardhë të gdhendur me stil karakteristik popullor.

Kjo është shtëpia ku ka banuar familja e Aleksandër Moisiut, aktorit shqiptar me famë botërore.

***

Oborri me pllakat katrore të kuqe e të bardha, ku ka ecur këmbëzbathur Moisiu fëmijë, më tej hauzi i gdhendur në gur e disa hapa më tej trungu i një palme të madhe e të moçme, kurora e së cilës u këput para disa vitesh nga vjetërsia e moshës… Të gjitha këto janë elementë intimë të jetës e fëmijërisë së artistit të shquar, detaje memoriale të biografisë së tij.

Shkallët prej guri me tre harqe të shtëpisë janë karakteristike, si ato të banesës popullore shkodrane. Shtëpia është ndërtuar në mënyrë të veçantë, e mbështetur krejt në murin e njërës nga kullat e mëdha katërkëndëshe të kështjellës së lashtë bizantine.

Ndërtuesit e kanë shfrytëzuar mirë avantazhin që u jepte muri dhe kulla. Kështu, banorët e shtëpisë dalin mbi mur dhe, mbi sfondin e kullës, e shohin nga bedenat e saj. Ky sfond është “tarraca”, e përbën në vetvete një ambient ekzotik mjaft interesant. Edhe sot shihet e njëjta pamje. Deti i përjetshëm e i kaltër është po ai që ka qenë, por gjithçka tjetër, qyteti, njerëzit, kanë ndryshuar.

Ndërsa nga jashtë shtëpia e Moisive është e ndërtuar e tëra me material guri, nga brenda është me material druri. Dhoma e madhe në drejtim të lindjes ka një tavan të skulpturuar në dru, plot ornamente e motive popullore.

Kjo shtëpi, që është ndërtuar nga fillimi i shekullit të XIX, dhe e ka mbushur dyqindvjetshin e saj, për nga vlerat arkitektonike shquhet e është e vetmja e këtij lloji në Durrës.

Ajo ka edhe dy basorelieve të vogla.

Njëri basoreliev është me një skenë alegorike, ku paraqitet një njeri midis dy luanëve me bisht të përdredhur në kurriz, kurse tjetri basoreliev tregon një figurë valltari me fustanellë kombëtare (pjesa e sipërme e saj është e dëmtuar).

Durrësi ka tradita shumë të hershme lidhur me teatrin.

Zbulimet arkeologjike na kanë dhënë një numër maskash antike mjaft interesante, që dëshmojnë për këtë.

Me këto tradita të lashta lidhen dhe emri i aktorit të madh Aleksandër Moisiu, si dhe traditat e reja të teatrit.

Kjo shtëpi muzeale, që bën simbiozë me kështjellën epike, duke u restaurua, fiton një pamje të re autentike, do të evidentohet më shumë stili i saj popullor.

Duke ardhur këtu ne do të na jehojnë zëri i aktorit të madh, fytyra e tij dhe vitet e fëmijërisë që kanë mbetur të përjetshme në këtë dekor guri e vitesh.

***

Në 21 nëntor 1929, vite më parë, Aleksandër Moisiu ka botuar në gazetën e Vjenës “Die Neue Freie Presse” një tregim përkujtimor si më poshtë për këtë shtëpi prindërore:

Shtatë pranvera numëroja… në të vërtetë… nuk është se i numëroja unë, sepse unë nuk dija të numëroja as deri në shtatë.

Atë kohë shkoja në shkollë, pikërisht në Durrës. Atje mësova të lexoj e të shkruaj shqipen dhe greqishten e re.

Shkolla në Durrës nuk dallohej shumë nga shkollat e vendeve perëndimore apo lindore, me plot hapësirë, e ajrosur, me banka shkolle, vetëm se mësuesi mbante mbi kokë një festë të kuqe në vend të kapeles, nxënësit gjithashtu nuk ndryshonin, veçse shumica e tyre vinin në shkollë zbathur.

Vetëm pak prej tyre kishin këpucë dhe kapele, unë gjithashtu.

Dilte sheshit se këto kapele sikur lidheshin njëra me tjetrën sepse ne pesë kapelembajtësit u bëmë miq, kopjonim njëri-tjetrin, luanim rolin e suflerit e i bënim bisht shkollës bashkë, këmbenim miqësira, ziheshim me njëri-tjetrin, shkurt pra, bënim gjithçka çfarë mund të sillte me vete një lidhje e brendshme.

I vogël ishte pra Durrësi, shumë i vogël, mjetet e qarkullimit shumë të ngadalta, me përjashtim të disa kuajve të zjarrtë arabë që ishin në shërbim të disa të mëdhenjve të qytetit, kishte vetëm disa buaj të mprehur me qerre.

Dhomëza ime kishte pamje nga deti dhe kështu kisha mundësi të shihja mbërritjen apo nisjen e anijeve që vinin nga Trieste dhe shkonin për në Korfuz. Triesten e njihja, aty kisha lindur, atje kisha hipur në makinë, në tramvaj, atje pashë bile, në stacionin jugor, edhe një mostër që bënte zhurmë të madhe dhe lëshonte tym – një lokomotivë.

Po ja, Trieste nuk më tërhiqte… Po Korfuzi, çfarë është Korfuzi?

Shpeshherë ulesha pranë babait kur ai luante me letra me shokët e tij.

Aty shpeshherë dëgjohej fjala « Korfuz ».

Biseda nëpër rrugë: “Korfuzi” i dashuri një anije greke na sillte rrush të thatë nga “Korfuzi” – ndonjëri vraponte, nxitonte për në port, ma kalonte mua, donte të arrinte anijen për – “Korfuz” – një vajzë gazmore, kushërirë e largët, më tregonte historiza prej “Korfuzi” dhe më këndonte greqisht Hënën e “Korfuzit” – edhe sot e di tekstin dhe melodinë : – “Oh Argira Panselinos”… Ajo rrotullonte sytë e saj të bukur nga kënaqësia kur thoshte fjalën “Korfuz”… E qartë si drita e Diellit : Më duhej të shkoja në Korfuz. Shokëve e mi me kapele iu thosha disa gjëra qoftë për Durrësin, apo për botën përreth, që tashmë e njihja.

Në këto tregime ishin edhe portet që unë kisha vizituar me avulloren e Triestes: Zara, Slit, Shebeniku, Kotori, Tivari, Ulqini… Natyrisht që numërimi i lodhshëm i gjithë këtyre qyteteve nuk e humbiste fillin te dëgjuesit, disa gjëra edhe m’i besonin. Unë ndjeja fuqinë time dhe shpërtheva: “Korfuzi është më i bukuri, më i bukuri në botë!” Unë nuk e kisha aspak në mend që të bindja shokët e mi se Durrësi me qerret e ngadalta nuk ia vlente. Por ne duhej të shkonim në Korfuz.

Dhe për këtë ishim të bashkuar, aq të bashkuar s’kanë qenë kurrë as të mëdhenjtë. “Por – tha njëri, – si do të shkojmë në Korfuz?…” Me thënë të drejtën, kjo pyetje në çdo rast më shqetësonte, prishte përfytyrimin, rrezikonte rolin tim si udhëheqës. Propozimet ishin të njëpasnjëshme. “Të vjedhim një anije” – “Futemi kontrabandë në ndonjë avullore”. “Me not! Po, do të shkojmë me not”!, “Do të lidhemi me litar pas një anije – të pestë”! “Po peshkaqenët!” – trembej një zemërlëshuar. …

Unë po mbaja një heshtje të ftohtë dhe qëndroja aty si një re e rëndë e zezë.

I lashë të flisnin dhe pastaj vura në dukje gjeninë time.

Me asnjë avullore apo varkë, as me not… apo… Përshkrova me fjalë një diçka midis aeroplanit dhe anijes me vela, të rehatshëm për një ekuipazh, të shpejtë si një dallëndyshe, të lehtë si një pendë dhe që nuk i trembet as reve dhe as valëve dhe premtova se ky “aparat” do të ishte gati për të hënën në mëngjes… kur prindërit e dashur të jenë ende në gjumë, në agim ne do të vidhemi nga shtëpia, dhe unë do t’u pres tek porti, nga krahu i trungjeve të drurit dhe pastaj do të fluturonte për në Korfuz!…

Të gjithë ramë në një mendje.

U tha, u bë. Ditët që pasuan – tre, nëse nuk gabohem – ishin të vështira, kështu që njoha parakohe mungesën e gjumit dhe oreksit. Sipas betimit më duhej të konstruktoja “aparatin” e premtuar, por o zot, motrat nëpër shtëpi (unë isha më i vogli) më ngacmonin për pamjen e sigurt dhe të zhytur në mendime të fytyrës dhe më quanin Sokrat. … Me mendje qepja bashkë copa çarçafi, bashkoja me gozhdë dërrasa, prishja arka të shkatërruara – por asgjë nuk po arrija – vetëm në gjumë fluturoja shumë lezetçëm…

Vështrimeve pyetëse të shokëve të mi iu shmangesha me guxim…

Heronjtë nuk flasin, ata vetëm veprojnë…

Në shkollë asnjëri “nga fluturuesit” nuk u përgjigjej pyetjeve të mësuesit, se ishte krejt e parëndësishme sa bënte 2 edhe 2, nëse zoti kish bërë botën në gjashtë ditë, apo nëse engjëjt ruanin me shpata të shndritshme dhe me krahë të mëdhenj dyert e parajsës – ha, ha, ha, ha! Sa për të qeshur! Të dielën – në vigjiljen e fluturimit – më duhej të shëtisja babanë, motrat.

Vrapoja si qenush duke ngjitur dhe zbritur kodrën, e kështu të rraskapitur më zuri gjumi. E hënë!… Zhurma po shqetësonin gjumin tim të thellë, të mëngjesit… Gurë nga një drejtim i caktuar po hynin në dritaren time të hapur – u zgjova – dhe e kuptova. Menjëherë dola para shokëve, ata po më kërkonin makinerinë fluturuese me vela, unë nuk dija ç’t’u thoja…

Dhe ç’më priste pas kësaj: shpulla, grushta, shqelma, gërvishtje me gozhda nëpër fytyrë, flokë m’u shkulën pa numërim, djemtë e zemëruar nuk po njihnin aspak mëshirë.

Unë mbeta në vend, nuk u mbrojta, nuk kundërveprova, por durova dënimin duke belbëzuar si profet: “Dhe megjithatë një ditë ajo një ditë do të vijë, po, po, do të vijë një Galileo Galilei!”

Pas këtij gjykimi u shtriva përsëri në krevat dhe, kur dielli po shndriste në horizonte, më zgjuan motrat: “Aleksandër, si qenke bërë kështu? Sandrin, Sandrushkë, thesar, engjëll!” mijëra emra përkëdhelës. “Kush të paska gërvishtur? Kush të ka ënjtur? Kush të ka shkulur flokët”?

Me plot fantazi, siç janë shpesh fëmijët, akuzova macet dhe minjtë, mushkonjat, bile edhe akrepat…

Menjëherë më besuan dhe u kujdesën për mua…

Por, babai, që nuk besoi aq kollaj, e nuhati rrahjen dhe më rrahu sërish.

Më vonë, shumë më vonë, kur unë nuk jetoja më në Shqipëri, në vendin tim të fëmijërisë, një gjeni shpiku makinën time: ishte inxhinieri Bleriot nga Kambrai, që e ngriti atë mbi kanalin e La Manshit dhe përshëndeti ëndërrimet e mia të zjarrta fëmijërore…

Dhe unë nga kurora e tij e lavdisë mora një gjethëz të vogël dhe me mend ia dërgova Durrësit të vogël me qerret e tij të ngadalta.

Exit mobile version