Vushtrria njihet si vend me numrin e madh të objekteve të vjetra, të cilat kanë hyr nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Të gjitha këto objekte brenda vetes mbajnë histori të ndryshme.
Njëra ndër to, është edhe shtëpia e Zymer Musiqit, në fshatin Ceceli të Vushtrrisë, e cila për trashëgimtarët e kësaj familjeje mbetet me shumë vlerë.
Nazmi Musiqi, i cili dikur kishte jetuar shumë momente brenda saj, ka thënë se ky objekt mendohet të jetë i vjetër afro 400 vite.
“Sipas gojëdhënave që ne i kemi trashëguar brez pas brezi, kjo shtëpi mendohet se i ka 400 vite. Në këtë fshat shtëpi e parë është kjo. Kanë qenë edhe katër tjera të ngjashme por janë shkatërruar. Por ne këtë shtëpi e kemi ruajtur dhe do ta ruajmë si dëshmi”, tha për RTV Dukagjinin, Nazmi Musiqi.
Përveç që në të janë mbajtur mbledhitë e fshatit dhe ka qenë ndër shtëpitë më të frekuentura, në të janë mbajtur edhe mësimet. Ka qenë ndër shkollat e para të kësaj rrethine.
“Shtëpia është e ndërtuar nga gurët dhe druri i bungut. Druri I bungut është ndër më të fortët për ndërtimin e shtëpive. Këtu është një dhomë që ka qenë shkolla e parë shqipe jo vetëm në Celi por edhe vendet përreth. Në një kohë ka qenë edhe zyre që ka ofruar shërbime si komuna”, tregon më tej Musiqi.
E përbërë nga dy kate, ky objekt është i gjithë i ndërtuar me gur. Ndryshe, ka qenë edhe ndër të parat shtëpi të ndërtuara në këtë fshat.
Nazmi Musiqi, i cili kohë pas kohe e viziton shtëpinë në të cilën kishte jetuar dikur, ka thënë që do të kujdeset për të, derisa nuk do të mund t’i bëjë ballë kohës./RTV Dukagjini/Telegrafi/