Drejtoresha e shtëpisë së sigurt në Mitrovicë “Raba Voca”, dr. Emine Kabashi, ka bërë të ditur se që nga fillimi i punës në vitin 2007 në Strehimoren e Viktimave të Dhunës në Mitrovicë janë strehuar 679 viktima të të gjitha llojeve të dhunës nga të gjitha rajonet e Kosovës, madje edhe nga Moldavia.
Thotë se është e vetmja strehimore e viktimave të dhunës në Kosovë, e cila është e vendosur në një shtëpi private, për të cilën paguan qira.
Megjithatë, ajo shprehet se femrat, viktima të dhunës, kanë siguri maksimale dhe për asnjë moment nuk janë të rrezikuara.
Thotë se në Shtëpinë e Sigurt, të cilën e menaxhon ajo, janë strehuar viktima nga të gjitha anët e Kosovës dhe nga Moldavia, shkruan sot gazeta ‘Zëri’.
Dr. Emine Kabashi, drejtoreshë e shtëpisë së sigurt – QMGF “Raba Voca”, thotë se përveç sigurisë maksimale, ato kanë ushqim të shëndetshëm dhe të mjaftueshëm, higjienë personale të nevojshme, shërbime shëndetësore të shëndetit primar dhe medikamente, shërbime juridike falas, në rast nevoje edhe shoqërim dhe transport në institucione të ndryshme, trajtim profesional psikologjik dhe këshillime juridike dhe këshillime për të drejtat e njeriut.
“Sa u përket kushteve, ato e kanë si në shtëpi të tyre, stafi që përbëhet prej tre këshillëdhënësve, një psikologe, një infermiereje dhe një mjeke përkujdesen maksimalisht për to. Vijnë raste të rënda, edhe gra me shenja të dukshme të dhunës, me plagë të shkaktuara me mjete të forta”, thotë dr.Kabashi, e cila tregon fotografi, në të cilat shihen gjurmët e plagëve të të paktën dy grave, të cilat aktualisht ndodhen të strehuara edhe me nga një vit e gjysmë. Ajo tregon për rastin e një femre, e cila një vit e gjysme ka qenë e strehuar në shtëpinë e sigurt “Raba Voca”, derisa i është gjetur zgjidhja.
“Ajo madje ka qenë e strehuar me katër fëmijë. Ne kemi organizuar që fëmijët të mos mbesin pa shkollë dhe të gjithë fëmijët e saj kanë vazhduar shkollën pa probleme. Fëmijët kanë qenë të sigurt për të shkuar në shkollë me përcjellje të stafit të Strehimores”, thotë ajo.
Shtëpi gjysmë e mbyllur vështirë gjendet
Në anën tjetër, Shtëpia e Sigurt në Mitrovicë nuk ka asnjë shenjë që do të tregonte se aty ka një institucion për sigurinë e grave ndaj të cilave ushtrohet dhunë.
Të gjithë ata që kalojnë andej, por edhe ata që përpiqen ta gjejnë e kanë shumë të vështirë, pasi që ajo ka pamjen e një shtëpie trekatëshe, sikurse shumë shtëpi tjera në lagjen e “Tavnik” të Mitrovicës. Nuk lejohet as të bëhen fotografi të Strehimores. Gjithçka, sipas drejtoreshës është konfidenciale.
“Nuk ka asnjë shenjë, edhe nëse dikush do të ofrohej dhe të pyeste nëse ajo është strehimorja e viktimave të dhunës, nuk do të mund të merr asnjë informatë, pasi që dikush nga brenda do të përgjigjej se ajo është shtëpi private. Shtëpia e ka oborrin nga ana e prapme dhe viktimat dalin e rrinë aty. Ajo ka kamerat e vëzhgimit dhe nëse hetohet që dikush po afrohet, ne menjëherë e lajmërojmë policinë”, thotë ajo.
Sipas saj, aktualisht në këtë shtëpi janë të strehuara 6 viktima të dhunës, 3 gra me nga një fëmijë.
“Një viktimë është nga komuna e Zubin Potokut, një nga Skenderaj dhe një nga Mitrovica. Në këta pesë muajt e parë të këtij viti këtu janë strehuar 44 viktima të dhunës. Kemi pasur edhe nga pjesa veriore e Kosovës, të shumtën gra të komunitetit RAE. Viktimat sillen nga policia, por edhe nga QPS-të. Derisa ne përkujdesemi për sigurinë e tyre në strehimore, QPS-të e kanë për detyrë që të përkujdesen për riintegrimin e viktimave. Për mbrojtjen e tyre në gjykatë përkujdeset Prokuroria, e cila e ka caktuar mbrojtësin e viktimave. Për shpenzimet e ushqimit, veshmbathjes dhe shpenzimet tjera përkujdeset Ministria e Mirëqenies Sociale përmes blerjes së shërbimeve nga QMGF ‘Raba Voca’”. Ka raste kur burrat kërkojnë t’i marrin vetëm fëmijët, jo edhe gratë. Ato viktima që nuk kanë ku të shkojnë mbesin këtu edhe për më gjatë”, sqaron drejtoresha Kabashi, sipas së cilës, afati i strehimit është minimalisht një muaj dhe maksimalisht gjashtë muaj, sipas marrëveshjes që me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, por që mund të vazhdohet edhe për gjashtë muaj të tjerë.
Kapaciteti i Strehimores, 15 viktima të dhunës
“Ne në fakt jemi organizatë joqeveritare – QMGF ‘Raba Voca’, e licencuar dhe ofrojmë shërbime për gratë dhe vajzat dhe fëmijët, viktima të të gjitha formave të dhunës. Ofrojmë ndihmë të drejtpërdrejtë, strehim, mirëqenie dhe siguri. Kapaciteti i Strehimores është 13-15 viktima përnjëherë. Strehimorja është e tipit gjysmë të mbyllur. Viktimat nuk mund të qarkullojnë lirshëm jashtë Strehimores, vetëm në situata të jashtëzakonshme të përcjella nga personeli. Në strehimore mund të ketë qasje vetëm personeli, por në situata të jashtëzakonshme dhe kërkesa speciale mund të kenë qasje punëtorët sociale, policët, mbrojtësit e viktimave dhe donatorët”, shpjegon ajo.
Drejtoresha e shtëpisë së sigurt, dr.Emine Kabashi, potencon se ka bërë një marrëveshje me komunat Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj për pagesën mujore të qirasë dhe për shpenzimet rrjedhëse, rrymë, ujë, mbeturina, por thekson se komunat në këtë vit nuk i kanë përmbushur obligimet dhe se për 5 muajt e këtij viti qiraja nuk është paguar.
“Strehimorja për Viktima të Dhunës në Mitrovicë është e vetmja në Kosovë që është e vendosur në shtëpi private”, konstaton drejtoresha e shtëpisë së sigurt “Raba Voca”, e cila për fund bën të ditur se që nga fillimi i punës, në vitin 2007, aty janë strehuar 679 viktima të dhunës, nga Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Prishtina, Podujeva, Ferizaj, Peja, Gjakova, Zubin Potoku dhe nga shteti i Moldavisë.