Madje, edhe vijat e vizatuara duhet të shlyhen dhe të bëhen për së dyti, meqë ato nuk i plotësojnë kriteret që kërkohen nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF) dhe ajo Evropiane (EAA).
Komisioni për pranim teknik dhe inspektim të punimeve në shtegun e atletikës nuk e ka bërë pranimin e punëve.
Drejtori i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së, nga edhe është financuar rinovimi i shtegut të vetëm të atletikës në Kosovë, Ibër Alaj, thotë se përmirësimi i punëve të lëna keq gjatë rinovimit do të bëhet nga operatori fitues i tenderit, por vetëm pasi moti të përmirësohet.
Në shtegun e saposhtruar, vërehen arnime të ndryshme, vija të shtrembëruara dhe gunga madje.
"Pas daljes së komisionit për pranim teknik në terren dhe inspektimin e punimeve në stadiumin ‘Adem Jashari’ përkatësisht shtigjeve të atletikes, kemi vërejtur se vijëzimi dhe disa punime të shtesës së tartanit nuk janë në standardet e kërkuara apo gjatë punimeve ka pasur defekte në vendosjen e tyre. Andaj, nuk është bërë pranimi teknik i punëve dhe duhet të presim fazën e përmirësimit të kushteve atmosferike për shkak se temperaturat e lejimit të punëve në tartan kërkojnë që të jenë 15 gradë celsius. Në momentin e përmirësimit të motit, operatori që ka fituar tenderin për të shtruar shtegun, do të bëjë edhe përmirësimet dhe do të rregullojë të gjitha vërejtjet që ka dhënë komisioni për pranim teknik", ka thënë Alaj për gazetën kohaditore.