Telegrafi

Shtatorja e Adem Jasharit vendoset në Fushë Kosovë

Me një ceremoni solemne, sot në Fushë Kosovë është bërë zbulimi i shtatores së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, tha se në shtatoren e komandantit Adem Jashari është përjetësuar paqja dhe liria e Kosovës.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar që shtatorja e komandantit të vendoset në Fushë Kosovë.

“Edhe ne të gjitha komunat, po edhe si familje jemi duke u solidarizuar me vëllezërit tanë në Shqipëri. Vëllezër dhe motra ne jemi më ju, kemi qenë dhe do të jemi. Dua t’i falënderojë të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë kontribuar që shtatorja e komandantit të jetë shtatorja e Adem Jasharit, e gëzofshi”, tha ai.

Ndërsa, Xhevdet Qeriqi, nga shoqatat e dala nga lufta, që njëherësh ka qenë edhe iniciatorët e vendosjes së shtatores së Adem Jasharit në Fushë Kosovë, tha se është nderë dhe respekt për të.

“Ne si shoqata të dala nga lufta e kemi marrë si iniciativë dhe si ide që shtatoren ta sjellim në Fushë Kosovë. Është nder dhe respekt lavdi për komandantin legjendar, lavdi për gjithë dëshmorët e kombit”, tha ai./kp/Telegrafi/