Telegrafi

Shtatë vjet burg shqiptarit në Angli, e dashura befason në gjyq

Një shtetas shqiptar, emigrant ilegal në Angli i cili u kap me kokainë me vlerë gati 500 mijë paund, pasi e kishte futur në Britani duke e fshehur në pjesën e prapme të një kamioni u dënua me shtatë vjet burg të hënën. Ai është Sami Docat, 35 vjeçar.

Ai u arrestua pasi policia e ndaloi atë teksa ngiste një “VW Passat” pranë shtëpisë ku bashkëjetonte me të dashurën e tij Marina Seinopoulou, 31 vjeçare, në Neasden, në veriperëndim të Londrës, shkruajnë mediat shqiptare.

Sami Docat, 35

Policia i gjeti në automjet 878 g kokainë me një vlerë që po të shitej në rrugë, do t’i siguronte atij 219.250 paund, ndërsa 927g kokainë me vlerë prej 266.340 paund u gjeten në apartamentin e tij së bashku me 26,000 paund, para kesh.

Shqiptari e ka pranuar akuzën dhe ka treguar se bënte pjesë në një organizatë të madhe droge dhe po vazhdonte të punonte për ta sepse ai u kishte atyre 8 mijë paund borxh.

Surprizë ishte veprimi i të dashurës së tij e cila ka thënë në gjyq se e dashuronte 35-vjeçarin dhe se ka qenë në dijeni të çdo gjëje që ai ka bërë.

Për këtë vajza është arrestuar dhe gjykata vendosi që ajo të dënohej me tre vite burg.