Telegrafi

Shtatë të vdekur në Brownsville të Teksasit, pasi një makinë u përplas me disa njerëz që po prisnin në një stacion autobusi – publikohen pamjet e aksidentit

Shtatë persona kanë humbur jetën në Brownsville të Teksasit, pasi një makinë u përplas me disa njerëz që po prisnin në një stacion autobusi.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, përplasja ndodhi në orën 8:30 të mëngjesit (sipas kohës lokale) pranë Qendrës Ozanam në Brownsville, tha një përfaqësues nga Departamenti i Policisë Brownsville për ABC News.

Përveç atyre që vdiqën, deri në gjashtë persona janë duke u trajtuar për lëndime të rënda dhe të lehta në spital, sipas policisë.

Policia ka arrestuar një të dyshuar mashkull, kanë thënë autoritetet.

Shoferi ndodhet në spital duke u trajtuar dhe nën përcjellje 24 orëshe, tha policia duke shtuar se aktualisht po kryhen teste për të kontrolluar përdorimin e alkoolit dhe drogës.

Hetuesit nuk komentuan një motiv të mundshëm apo nëse përplasja ishte e qëllimshme.

Ndërkohë janë publikuar disa pamje ku pretendohet se tregohet momenti i aksidentit. /Telegrafi/