Personi që shihni në këtë foto është Fatjon Dervishi, i ekzekutuar me armë zjarri pak pas mesnatës së të martës në fshatin Katund të Durrësit.
Viktima 37 vjeç i njohur dhe me identitetin Ton Margen po kthehej në banesë së bashku me një shokun e tij kur persona të panjohur hapën zjarr ndaj tyre.
37-vjeçari që ishte në drejtimin e makinës mori 2 plumba duke humbur jetën menjëherë ndërsa shoku i tij shpëtoi i padëmtuar. Ky i fundit është marrë në pyetje nga policia së bashku me 6 persona të tjerë, për të mësuar më tepër mbi rrethanat e ngjarjes së rëndë.
Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë policia e Durrësit ka njoftuar, se nga verifikimet viktima 37-vjeçar, ka rezultuar i hetuar për trafik droge në Holandë. Për këtë arsye uniformat blu bënë me dije se janë ushtruar kontrolle në disa banesa në zonë si dhe janë këqyrur aparate celulare me qëllim zbulimin e lidhjeve të viktimës apo shtetas me të cilët mund të ketë pasur konflikte, jashtë vendit.
Gjithashtu me vlerë për hetuesit janë dhe lëvizjet e Fatjon Dervishit para vrasjes, pasi ka dyshime se është survejuar nga autorët. Për këtë policia thotë se ka sekuestruar kamerat e sigurisë nga aksi rrugor “Maminas-Shijak-Sukth-Sallmone”.
Nga ana tjetër fqinjët e viktimës thonë se ai sapo ishte kthyer nga Italia për të hapur një lokal pranë banesës ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët vijojnë të jetojnë në vendin fqinj./Tv Klan