1. Shkolla Fillore ‘Ismail Qemali’- Baincë e Epërme
Në Baincë të Epërme të Gostivarit, shkolla mbante emrin ‘Ismail Qemali’. Në vitin shkollor 1941-1942 kishte 68 nxënës. Ndërsa, në vitin shkollor 1942-1943, në këtë shkollë mësonin 94 nxënës, prej të cilëve 74 ishin djem. Mësues e kishin Skënder Haxhiademin.
2. Shkolla Fillore ‘Tajar Tetova’ – Tetovë
Shkolla fillore ‘Tajar Tetova’ ishte shkolla e dytë shqipe që u hap në qytetin e Tetovës në vitin 1941. Drejtori i parë i kësaj shkolle ishte Beqir Kllojka, kurse mësuesit e parë ishin Pano Hido, Lazër Bibaja, Josif Todi, Lirije Todi dhe Vasil Dhimiturka. Në vitin 1942 drejtor u bë Qamil Haxhihasani dhe numrit të mësuesve iu shtuan edhe Mirtezan Katzadei, Rustem Ismailati, Dhimitër Pulati, Vangjel Daka, Kadri Hoxha, Krisanthu Themo, Gliqeri Velko, Lirika Nikolla, Kadri Kashari, Hysen Abdihoxha. Numri i nxënësve në këtë shkollë ishte 399, nga të cilët 352 ishin djem dhe 47 vajza, transmeton lajmi.net
3. Shkolla Fillore ‘Lirija’ – fshati Reçan
Në shkollën ‘Lirija’ që u hap në Reçan të Gostivarit dhanë mësim në vitin 1941-1942, 1943-1944, arsimtarët Gafur Rada, Hamdi Zabzuni dhe Ismail Shabani. Në vitin shkollor 1942-1943 numri i nxënësve u rrit në 173 nxënës, e prej tyre 161 ishin djem dhe vetëm 12 vajza.
4. Shkolla Fillore ‘Rexhep Voka’ – fshati Shipkovicë
Në shkollën e parë shqipe që u hap në fshatin Shipkovicë të rrethit të Tetovës, kanë dhënë mësim disa mësues nga Shqipëria. Në fillim të vitit shkollor 1941 dha mësim Dhimitër Shuli, i cili u zëvendësua pastaj nga arsimtari elbasanas Mirtezan Katzadei. Shkolla mbante emrin e atdhetarit nga ky fshat, ‘Rexhep Voka’, i cili kishte qenë përfaqësues Kongresin e Manastirit të vitit 1908.
5. Shkolla Fillore ‘Anastas Pandeli’ – fshati Vërloh
Në shkollën fillore ‘Anastas Pandeli’ gjatë viteve 1941-1943 jepnin mësim dy mësues Mithat Cani dhe Abedin Faja. Në vitin shkollor 1942-1943 numri i nxënësve u rrit në 126, prej të cilëve 84 ishin meshkuj dhe 42 femra. Kështu u shtua edhe stafi me mësues të rinj, si Skënder Hasxhihyseni, Mehmet Karadaku dhe Shyqri Ahmeti.
6. Shkolla Fillore ‘Avni Rrustemi’ – fshati Xhepçishtë
Xhepçishti është një fshat vetëm pak kilometra larg nga qyteti i Tetovës, prandaj ky fshat si shumë fshatra të tjerë larg qendrës së qytetit, kishte shkollën e tij shqipe. Shkolla mbante emrin e heroit kombëtarë ‘Avni Rrustemi’ dhe në të jepte mësim arsimtari Vangjel Daka.