Site icon Telegrafi

Shtatë paqeruajtës të OKB-së u vranë në Mali

Shtatë anëtarë të helmetave të kaltra të shtetit të Togos u vranë dhe tre u plagosën rëndë në një sulm me pajisje shpërthyese në Mali, i cili u dënua ashpër nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

“Sot, më 8 dhjetor, një kolonë logjistike e paqeruajtësve (MINUSMA) që udhëtonte nga Douentze në Sevare, në qendër të vendit, u ndesh me një mjet shpërthyes”, njoftoi Misioni i OKB-së në Mali (MINUSMA) përmes Twitterit. Sulmi ndodhi në afërsi të Bandiagara, në provincën e Moptit, shton MINUSMA.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres “dënon fuqishëm këtë sulm”, tha zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric në New York.

Ai u bëri thirrje autoriteteve të Malit të bëjnë gjithçka që është e mundur për të gjetur fajtorët dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë.

Komandanti i përgjithshëm i MINUSMA, El Ghassim Wane, gjithashtu “e dënoi fuqishëm” këtë sulm “frikacak”, duke theksuar në një deklaratë se ai mund të përshkruhet si një “krim lufte”.

Konflikt është ndezur në Mali që nga viti 2012, në të cilin grupet xhihadiste të lidhura me Al-Qaedan dhe grupin, Shteti Islamik kanë kryer vazhdimisht sulme pas dhunës nga grupet e armatosura, disa prej të cilave quhen forca vetëmbrojtëse, kundër civilëve.

MINUSMA, i vendosur në Mali në vitin 2013, është aktualisht misioni paqeruajtës i OKB-së me më shumë vdekje në botë. Deri më 31 tetor, 146 anëtarë të saj ishin vrarë, sipas statistikave të OKB-së. /Telegrafi/

Exit mobile version