Site icon Telegrafi

Shtatë mënyra për t’i përballuar dhe kapërcyer krizat jetësore

Është mirë të bëni listën e gjërave që ju gëzojnë, pavarësisht a bëhet fjalë për thirrjen e mikut apo diellin pas dimrit të gjatë. Problemet kështu do të duken më pak të rëndësishme.

Po ashtu duhet ta keni parasysh që ka njerëz të cilët e kanë shumë më vështirë dhe që duhet ta shfrytëzoni potencialin tuaj.

Riorientojeni vëmendjen tuaj – Në situatat stresuese më së miri është të mos mendoni për së tepërmi për problemet. Sa më shumë vëmendje që ju kushtojmë, aq më vështirë e shohim rrugëdaljen.

Më mirë është t’i dedikoheni hobit, shoqërimit me miq ose fëmijëve, sepse kështu do ta largoni veten nga problemet, do t’i shikoni më lehtë gjërat dhe do ta gjeni edhe zgjidhjen. Jepni vetes kohë që në qetësi t’i përshtateni situatës së re.

Besoni mikut – Nëpër krizat e vështira jetësore nuk duhet të kaloni vetë, ndërsa fjala e ngrohtë e mikut mund të bëjë çudi për psikën.

Biseda e sinqertë me mikun mund të ndihmojë që situata të shikohet në mënyrë më objektive, ndërsa përvoja e miqve në situatat e ngjashme mund të ndihmojë edhe gjatë zgjidhjes së shpejtë të problemeve.

E qeshura bën çudi – E qeshura ka efekt çlirues, sepse nxit lirimin e hormonit të lumturisë, serotoninës, ndërsa me këtë lehtëson stresin dhe lodhjen.

Pikërisht për shkak të kësaj edhe në situata stresuese është e rëndësishme të gjendet diçka që ju bën të qeshni. Truri të qeshurën do ta interpretojë sikur jemi në humor të mirë dhe të relaksuar dhe do të përmirësojë koncentrimin, ndërsa kjo do të lehtësojë përballimin me problemet dhe zgjidhjen e tyre.

Disa gjëra nuk mund të ndryshojnë – Vdekja e të afërmeve është fakt, të cilin nuk mund ta ndryshojmë. Të vazhdohet më tej është shumë vështirë, por e domosdoshme.

Lejoni vetes pikëllimin dhe lotët sa është e nevojshme. Me kalimin e kohës ngadalë përqendrohuni në gjërat që mund t’i ndryshoni.

Meditimi ndihmon në kontrollimin e ndjenjave – Meditimi i përditshëm redukton stresin, përmirëson koncentrimin dhe ndihmon që të fokusohemi tek vetja dhe nevojat tona. Qetësia që sjell meditimi do të ndihmojë që të qetësohemi me emocionet tona dhe të mësojmë t’i kontrollojmë.

Më lehtë do ta përballojmë pikëllimin, nëse kuptojmë se çfarë dëshirojmë saktësisht dhe si dëshirojmë ta arrijmë atë gjë.

Duhet vazhduar tutje – Ndryshimet drastike mund të shkaktojnë zemërim dhe pakënaqësi, por më e rëndësishme është të mos lejohet që emocionet e tilla të marrin kontrollin ndaj jetës tuaj. Duheni ta pranoni situatën e sapokrijuar dhe të mos lejoni që ajo të bëhet e përhershme.

Se a do të dilni si fitues në fund, varet vetëm nga ju. Sa më shpejt që mësoheni të përballeni me ndjenjat tuaja, aq më shpejt do të jeni të gatshëm për miqësi dhe përvoja të reja. /Telegrafi/

Exit mobile version