Site icon Telegrafi

Shtatë lajmësit

Nga: Dino Buzzati
Përktheu: Rezar Dizdari

I nisur për të eksploruar mbretërinë e tim eti, për ditë e ma shumë largohem prej qytetit e lajmet prej atje më mbërrijnë gjithnji e ma të ralla.

Kam fillu udhëtimin pak ma shumë së tridhjetë vjeçar e kanë kalu ma shumë se tetë vite, saktësisht tetë vite, gjashtë muaj e trembëdhjetë ditë ecje të pandërprerë. Kur u nisa besoja se në pak javë do të kisha arritë kollaj në kufinjtë e mbretërisë, porse kam vazhdu të takoj gjithmonë njerëz e vende të reja; e gjithkund njerëz që flasnin gjuhën time, që thonin se janë nënshtetas të mi.

Mendoj nganjëherë se busulla e gjeografit tim është çmendë dhe se, duke kujtu se drejtohemi kah jugu, ne në fakt jemi sjellë rreth vehtes, pa e rritë kurrë largësinë prej kryeqytetit; kjo mund të shpjegojë arsyen përse nuk kemi arritë ende në kufirin fundor.

Por ma shpesh më mundon dyshimi se ky kufi nuk ekziston, se mbretëria shtrihet pa asnjë kufi dhe se, edhe pse unë shkoj përpara, kurrë nuk mund të mbërrij deri në fund.

Fillova rrugëtimin kur isha ma shumë se tridhjetë vjeç, shumë vonë ndoshta. Miqtë e të afërmit talleshin me projektin tim si nji harxhim i kotë i viteve ma të mira të jetës. Realisht pak prej të besuarve të mi e mundësuan nisjen.

Edhe pse moskokëçarës – edhe ma shumë se tashti! – e kisha merak që të komunikoja gjatë udhëtimit, me të dashtunit e mi, e ndër kalorësit e shoqërimit zgjodha shtatë ma të mirët, që të më shërbenin si lajmësa.

Besoja, pa e ditur, se të kisha shtatë ishte një tepri. Me kalimin e kohës e kuptova se përkundrazi ishin krejt pak; edhe pse asnjëri prej tyre as nuk është sëmurur, as nuk ka has ndër cuba, as nuk ka prishë takëmet e kalit. Që të shtatët më kanë shërby me një këmbëngulje e përkushtim që zorë se do të mund t’ua shpërblej ndonjëherë.

Për t’i dallu kolaj i vura emrat e tyre me gërmën e parë simbas rendit albetik: Alesandro, Bartolomeo, Caio, Domeniko, Ettore, Federiko, Gregorio.

I pa mësuar larg shpisë, nisa Alesandron, qysh mbrëmjen e ditës së dytë të udhëtimit, kur kishim përshku nja tetëdhjetë lega. Mbrëmjen tjetër, për me siguru vazhdimësinë e komunikimeve, nisa të dytin, mandej të tretin, mandej të katërtin, njërin pas tjetrit, deri mbrëmjen e tetë, kur u nis Gregorio. I pari nuk ishte kthy ende. Na u bashkua natën e dhjetë, teksa po përgatisnim fushimin për natën, në një luginë të pabanuar. Mësova nga Alesandro se shpejtësia e tij kishte qënë nën pritshmërinë; kisha menduar se, duke kalëruar vetëm, me një kalë lufte të mirë fort, ai do të mund të përshkruante, në të njëjtën kohë, një distancë sa dy herë e jona; porse ai kishte mbërrit vetëm tek një herë e gjysma: në një ditë, teksa ne përparonim dyzetë lega, ai bluante gjashtëdhjetë, po jo ma shumë.

Kështu qe edhe me të tjerët. Bartolomeo që u nisur për në qytet mbrëmjen e tretë të udhëtimit, na mbërriti të pesëmbëdhjetën; Kaio që u nis të katërtën, vetëm në të njëzetën u kthye. Shpejt vura re se mjaftonte të shumëzoja me pesë ditët e harxhuara për të mbërritur deri atje për me gjetë se kur do të na kapte lajmësi.

Duke u larguar edhe ma tepër prej kryeqytetit rrugëtimi i lajmësve bëhej gjithnji e ma i gjatë. Mbas dyzetë ditë ecjeje, intervali ndërmjet një arritjeje të lajmësve dhe tjetrës nisi e u zmadhu ndijshëm; ndërsa më parë shihja të mbërrinte në kamp një në çdo pesë ditë, ky interval u bë njëzetepesë; zëri i qytetit tim vinte e bëhej gjithnji e më i mekur; kalonin javë të tëra pa pasë asnji njoftim.

Mbasi kaluan gjashtë muaj – kishim kapërcyer malet Fazani – intervali ndërmjet një mbarritjeje dhe tjetrës së lajmësve shkoi në plot katër muaj. Ata më sillnin tashma lajme të kahershme; zarfat më arrinin të zhubravitur, herëherë me njolla lagështie prej netëve të kaluara përjashta të atyre që i kishin me vete.

Vazhduam më tej. Më kot përpiqësha të bindja veten se retë që lundronin mbi mua ishin njëlloj si ato të fëmijërisë sime, se qielli i qytetit të largët nuk ishte i ndryshëm prej kupolës së kaltër sipër meje, se ajri ishte i njëjti, po ai flladi i erës. Retë, qielli, ajri, erërat, zogjtë, në të vërtetë më dukeshin të reja e të ndryshme; e unë ndihesha i huaj.

Ec, përpara! Endacakët e hasur fushave më thonin që kufinjtë nuk ishin larg. Unë i shtyja njerëzit i mi të mos ndaleshin, shuaja shënjat e ligështimit që formoheshin mbi buzët e tyre. Kishin kaluar katër vite që prej nisjes sime: çfarë lodhjeje e tejzgjatur. Pasuria, shpia ime, ishin bërë çuditërisht të largëta, gati nuk e besoja. Plot njëzetë muaj heshtje e vetmi kalonin tani ndërmjet çfaqjeve të njëpasnjëshme të lajmësave. Më sillnin letra të çuditëshme të zverdhuara nga koha, e në to gjeja emra të harruar, mënyra thëniejeje të pazakonta për mua, ndjesi që nuk arrija t’i kuptoja. Mëngjesin tjetër, pas vetëm një nate pushim, teksa ne rifillonim rrugëtimin, lajmësi nisej në drejtim të kundërt, duke çuar në qytet letrat që unë prej kohësh kisha përgatitur.

Por kanë kaluar tetë vite e gjysëm. Sonte po darkoja vetëm në çadrën time kur hyri Domeniko, i cili arrinte ende të buzëqeshte edhe pse i përdredhun prej lodhjes. Prej shtatë vitesh nuk e shihja. Për gjithë këtë kohë të gjatë ai nuk kishte bërë tjetër veçse kishte kalëruar, përmes livadhesh, pyjesh e shketëtirash, duke ndërruar kushedi sa herë kuajt, për të më sjellë këtë pako zarfash që unë deri më tash nuk kam pas dëshirë me i hapë. Ai ka shku me fjetë tashma e do të riniset nesër në agim.

Tek blloku i shënimeve ka llogaritur që, nëse gjithçka do të shkojë mirë, unë duke vazhduar ecjen time siç kam bërë deri më tash e ai të tijën, mund ta shoh Domenikon vetëm pas tridhjetekatër vitesh. Por kam filluar të ndihem i lodhur dhe mundet që vdekja të më arrijë përpara. Kështu nuk do mund ta shoh më.

Pas tridhjetekatër vitesh (përpara madje, shumë më përpara) Domeniko do të dallojë papritmas zjarret e fushimit tim dhe do të pyesë vetëm përse vallë, unë ndërkohë kam ecur kaq pak. Ashtu si sonte, lajmësi i mirë do të hyjë në çadrën time me letrat e zverdhura prej viteve, plot me lajme absurde të një kohe të varrosur tashma; por do të shtangë tek pragu, duke më parë të palëvizur shtrirë përmbi shtroje.

E hajt pra nisu, Domeniko, e mos thuaj se jam mizor! Çoje përshëndetjen time të fundit në qytetin ku kam lindur. Ti je lidhja e mbijetuar me botën që një herë e një kohë ishte edhe imja. Lajmet ma të fundit më kanë bërë me dije se shumë gjëra kanë ndryshuar, që babai im ka vdekur, që Kurora i ka kaluar vëllait tim të madh, që më dijnë për të humbur, që kanë ndërtuar pallate të tjera guri aty ku më përpara ishin lisat nën të cilëve unë shkoja e luaja. Por është gjithmonë atdheu im i vjetër.

Ti je lidhja e fundit me ta, Domeniko. Lajmëtari i pestë, Ettore, që do të na mbërrijë, n’dashtë Zoti, pas një viti e tetë muajsh, nuk do të mund të riniset më sepse nuk do ketë kohë të kthehet. Mbas teje heshje, o Domeniko, të paktën nëqoftëse unë ma në fund nuk do kem gjetë kufinjtë e shumëpritur. Por sa shkon, e më shumë bindem se nuk eksiston kufi.

Nuk ekziston, kam dyshim unë, të paktën në kuptimin që ne jemi mësuar t’i mendojmë. Nuk ka mure të mëdhenj ndarjeje, as lugina ndarëse, as male që e mbyllin shtegun. Ndoshta do ta kapërcej kufirin pa e marrë as vesh, e do të vazhdoj të shkoj përparë, pa e ditë.

Prandaj unë them se Ettore e lajmësat e tjerë mbas tij, kur të na kenë mbërritur përsëri, nuk do të rimarrin më rrugën e kryeqytetit por do nisen përpara e të më paraprijnë, në mënyrë që unë të mund të di që më përpara së çfarë më pret.

Një ankth i pazakontë më përndizet mbramjeve, e nuk është keqardhja për gëzimet e lëna pas, siç ndodhte në fillim të udhëtimit; më së shumti është padurimi për të njohur tokat e panjohura për kah po drejtohem.

Vërej se – e nuk ia kam thënë kurrkujt deri më tash – vërej se si ditë mbas dite, teksa përparoj drejt vendmbërritjes së paarritëshme në qiell rrezaton një dritë e pazakontë që nuk më është çfaqur kurrë, as ndër andrra; se si bimët, malet, lumenjtë që kapërcejmë, duken si të përbëra nga një esencë tjetër nga ajo e jona dhe ajri ndjell shënja paralajmëruese që nuk di se si tua vë emrin.

Një shpresë e re do të më tërheqë nesër në mëngjes edhe ma përpara, drejt këtyre maleve të paeksploruara që hijet e natës po i fshehin. Prapë unë do të ngrë fushimin, ndërsa Domeniko do të zhduket në horizont nga ana e kundërt, për të më çuar në qytetin e largët mesazhin tim të kotë.

Exit mobile version