Shtabi operativ i Komunës së Dibrës nga takimi i pasdites u bëri thirrje banorëve lokal si dhe mërgimtarëve, të cilët arritën në vendlindjen e tyre për pushime, në këtë komunë dhe në Komunën e Qendrës Zhupa, që t’i respektojnë në mënyrë rigoroze masat për mbrojtje dhe parandalim të Kovid-19.
Të gjithë, thonë nga Shtabi, duhet të mbajnë maska, të mos grupohen dhe t’i përmbahen vazhdimisht masave si në hapësirë të hapur ashtu edhe në të mbyllur.
“Në takimin e sotëm, u shqyrtua situata epidemiologjike në të dy komunat dhe u theksua se numri i njerëzve të shtruar në Repartin e Sëmundjeve Infektive të Spitalit të përgjithshëm, ku po trajtohen pacientët me kovid, është zvogëluar. Aktualisht gjashtë pacientë janë duke u trajtuar atje, të gjithë me mbështetje të oksigjenit, 10 po trajtohen në bazë ambulatore, ndërsa të tjerët po mjekohen në shtëpi”, informoi Shtabi.
Ata shtuan se u diskutuan edhe aktivitetet e Komunës së Dibrës në bashkëpunim me Qendrën për menaxhim me krizave dhe Spitalin e përgjithshëm për ndërtimin e spitalit modular të siguruar nga Qeveria për Komunën e Dibrës.
“Së shpejti do të shpallet një tender për ndërtimin e një sistemi qendror për terapinë me oksigjen në Spitalin e Dibrës. Duhet thënë se për ndërtimin e saj, ndihma financiare në vlerë prej 800.000 denarëve është marrë nga kompania “Knauf Radka”, thanë nga Shtabi.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, me tetë të sapo infektuarit e sotëm me Kovid-19, deri më tani në të dy komunat numri i përgjithshëm i të infektuarve është 598, aktivë janë 122, ndërsa 26 persona kanë vdekur.