Në Komunën e Gostivarit dhe komunat përreth ka 64 raste aktive me coronavurus. Prej tyre 43 janë në Gostivar, 20 në Vrapçisht dhe një rast në Komunën e Mavrovës.
Shtabi i Krizës Gostivar vlerësoi si serioze gjendjen me coronavirusin posaçërisht për shkak se të infektuarit janë nga lagje dhe fshatra të ndryshme, që mund të hapen grupe të reja dhe të rritet rreziku nga përhapja e virusit, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Në krahasim me qytetet tjera me numër të përafërt të banorëve, Gostivari është mirë, por të dhënat e fundit janë serioze. Do të dëshiroj t’i njoftoj qytetarët se rastet janë në lagje dhe fshatra të ndryshme, dhe kjo është shqetësuese. Sipas numrit të testeve dhe përqindjes së të infektuarve, vendi tashmë është në fazën e kuqe”, tha kryetari Arben Taravari.
Institucionet përsëri ju bën apel qytetarëve për kujdes, mbajtje të largësisë trupore, mbajtje të maskave dhe higjienë të rregullt. Gjithashtu shihet si rrezik edhe fushata zgjedhore ku ka tubime ku nuk respektohen protokollet.
Sipas të dhënave, vendime për izolim në rajonin e Gostivarit kanë 335 persona ndërsa që nga fillimi i pandemisë, nga Covid-19 janë infektuar 16 punonjës shëndetësor./Telegrafi/