Site icon Telegrafi

​Shtabi Emergjent në Mitrovicë me masa shtesë në parandalimin e COVID-19

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot ka mbajtur mbledhje të radhës me Shtabin Emergjent komunal, me ç’ rast është diskutuar lidhur me gjendjen aktuale dhe koordinimi për marrjen e masave shtesë në parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri ka propozuar disa masa shtesë për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, të cilat u mbështetën nga gjithë anëtarët e shtabit komunal.

“Në secilin lokal të gastronomisë inspektorët komunal të vendosin pikat për krijimin e distancës së duhur në mes tavolinave. Dhe në qoftë se nuk përfillet ky rregull nga ana e bizneseve, ato më nuk do të gjobiten, por do të mbyllen. Si dhe nga dita e sotme ndalohet përdorimi i shisha-bar në ato lokale të cilat kanë pajisje të tilla, pasi që konsiderohet rrezik potencial për infektim të të rinjve”, tha ai.

Po ashtu nga policia u kërkua të monitorojë dhe t’i mbajë nën kontroll të gjitha rastet e prekura me COVID-19, duke mos i lejuar të dalin nga shtëpitë e tyre derisa të shërohen plotësisht.

Gjithashtu u ngrit si shqetësim ndaj IKSHPK-së lidhur me mos ri-testimin e personave të prekur me Covid-19, të cilët pas 14 ditësh konsiderohen si të shëruar pa ndonjë verifikim të duhur nga ana e institucioneve shëndetësore.

Ndërkaq, sa i përket rihapjes së çerdhes publike, u tha se në këtë drejtim janë bërë përgatitjet adekuate dhe se së shpejti parashihet hapja e tyre.

Ndryshe, në qytetin e Mitrovicës, numri i rasteve pozitive me COVID-19 në total është 531, prej tyre 311 janë të shëruar dhe 199 janë ende raste aktive.

Exit mobile version