Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës dhe drejtori i përgjithshëm, Valbon Krasniqi gjatë vizitës që ia bën Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt prezantuan investimet që do të bëhen nga ShSKUK në këtë spital, ku parashihet të pajiset për herë të parë me Tomografi të Kompjuterizuar (CT).
Sipas një njoftimi për media thuhet se, përmes këtyre pajisjeve do të lehtësohet trajtimi i pacientëve dhe puna e stafit mjekësor.
“Menaxhmenti i spitalit njoftoi në lidhje me punën që po bëhet në spital dhe kapacitetet që ka spitali për trajtim të përgjithshëm të pacientëve, përfshirë edhe rastet me COVID. Drejtori i ShSKUK-së dhe Bordi Drejtues, pasi shprehën falënderimin ndaj stafit të spitalit, ofruan përkrahje të mëtejme, qoftë përmes investimeve kapitale, furnizimit me barna dhe material shpenzues, por edhe me pajisjet e nevojshme mjekësore”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet tutje në njoftim, pas vizitës së spitalit, u vizitua edhe Qendra e Shëndetit Mendor me Shtëpinë për Integrim, ku poashtu u shpalos puna e këtij institucioni. /Telegrafi/