Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, pas tri vjetësh do ta rikthejë në punë CT-në e Spitalit të Vushtrrisë.
Kjo është bërë e ditur gjatë një vizite që drejtori i përgjithshëm i SHKUK-së
Valbon Krasniqi kishte sot në Spitalin e Përgjithshëm të Vushtrrisë dhe atë të Mitrovicës.
Në Spitalin e Vushtrrisë, Krasniqi njoftoi se aparati i CT-së, brenda dy-tri javësh pritet të rikthehet në funksion, pasi ai për më shumë se tri vjet është jashtë përdorimit.
Në spitalin e Vushtrrisë sot janë 17 pacientë të spitalizuar me COVID-19. Ata falënderuan kreun e SHSKUK-së për vizitën dhe stafin mjekësor që po kujdesen maksimalisht për ta, duke u shprehur të kënaqur edhe me furnizimin me barna dhe material shpenzues.
Edhe gjatë vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, Krasniqi ka vizituar pacientët që po trajtohen në këtë spital, të cilët po ashtu u shprehen të kënaqur me trajtimin dhe furnizimin me barna dhe material shpenzues.
Në Spitalin e Mitrovicës së fundmi është instaluar rezervuari i oksigjenit i cili siguron furnizim stabil dhe të qëndrueshëm duke rritur sigurinë si për stafin shëndetësor ashtu edhe për pacientët.
Krasniqi tha se Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë, po ashtu është pajisur me një aparat rëntgen të ri digjital, e pritet të furnizohet edhe me një mamograf.
Ndërsa, Luljeta Buqinca -Zhubi, u.d. drejtoreshë e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, tha se këto investime të rëndësishme kanë ndikim në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët, me theks të veçantë për rezervuarin dhe furnizimin me oksigjen të lëngshëm, e që ka lehtësuar në masë të madhe punën e stafit dhe trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për oksigjeno-terapi.