Site icon Telegrafi

SHSKUK kërkon përkrahjen e Komisionit për Shëndetësi për të funksionalizuar Spitalin e Podujevës

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka kërkuar nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale përkrahje për funksionalizimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës.

Kështu është bërë e ditur nga SHSKUK përmes një komunikate për medie.

Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, ka vizituar Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, për tu njoftuar nga afër lidhur me punën e këtij institucioni, në veçanti lidhur me trajtimin e pacientëve të dyshuar dhe konfirmuar me COVID-19 si dhe menaxhimin e  Pandemisë në përgjithësi.

Gjatë takimit, deputetët  u pritën nga  ud. Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe anëtarët e Bordit Drejtues të ShSKUK-së.

Krasniqi, njoftoi anëtarët e Komisionit Parlamentar për aktivitetet e kryera gjatë kësaj kohe, me fokusim në menaxhimin e pandemisë COVID-19, dhe i njoftoi për planet konkrete për përgatitjet në përballimin e një vale tjetër të mundshme të pandemisë.

Ai njoftoi anëtarët e Komisionit për rikthimin e shërbimeve specialistike dhe shërbimeve tjera, e po ashtu, edhe për planet dhe projektet tjera, në veçanti kërkoi përkrahjen e komisionit për funksionalizimin  e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë, me buxhet dhe staf shtesë.

“Në të njëjtën kohë, drejtori Krasniqi, informoi anëtarët e Komisionit dhe kërkoi mbështetje për projektin e IVF-it, dhe legjislacionit për transplantim të indeve dhe organeve. Anëtarët e komisionit shprehen vlerësimin e tyre dhe falënderuan menaxhmentin e ShSKUK për menaxhimin e pandemisë dhe ofruan mbështetjen e tyre të vazhduar”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, pas informatave dhe kërkesave që ju drejtuan nga Bordi Drejtues dhe menaxhmenti i ShSKUK-së, deputetët e këtij komisioni shprehen gatishmëri për të mbështetur institucionet shëndetësore në çdo situatë, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të institucioneve shëndetësore. /Telegrafi/

Exit mobile version