Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës nga muaji janar deri në fund të dhjetorit 2017, ka ofruar 6.9 milionë shërbime të ndryshme shëndetësore.
Kështu thuhet në raportin e punës për vitin 2017, të miratuar nga Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), mes tjerash ceket se në këto shërbime përfshihen operacione, kontrolle specialistike, analiza laboratorike, ekzaminime diagnostike.
“Në klinikat e QKUK-së dhe Spitalet e Përgjithshme ka pasur gjithsej 164 973 pacientë të shtrirë me 881 711 ditë shërimi. Në raport, bëhet e ditur se në nivel të QKUK dhe shtatë Spitalet e Përgjithshme, janë kryer 40 509 operacione, përderisa janë ofruar 1.3 milionë shërbime dhe kontrolle në ambulancat specialistike.
Në laboratorët e QKUK dhe Spitaleve të Përgjithshme, janë kryer gjithsej 2.7 milionë parametra laboratorike për 458 484 pacientë. Në shërbimet diagonstike në nivel të SHSKUK-së, janë kryer 1.9 milionë shërbime, përfshirë, rëntgen, tomografi të kompjuterizuar, rezonanca magnetike dhe ekzaminime tjera diagnostike. Menaxhmenti i SHSKUK-së, me prioritet të lartë po merret që sa më shpejtë të funksionalizojë objektin e ri të ambulancave specialistike për degët kirurgjike, ortopedi, ftiziatri dhe degët internstike, objekt ky që do të ofroj kushte bashkëkohore për pacientët dhe stafin shëndetësorë që ofron shërbime shëndetësore”, thuhet në një komunikatë të SHSKUK-së.
Menaxhmenti i SHSKUK-së, në koordinim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, po punojnë që furnizimi me barna dhe material shpenzues të përmirësohet muajt në vijim, meqë janë në procedurë prokurimi 300 artikuj të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë.