Telegrafi

ShSKUK: Furnizimi me masa mbrojtëse për punëtorët është i mirë

Foto: Ilustrim

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se përkundër rritjes së numrit të rasteve që po trajtohen me COVID-19, por edhe rritjes së kërkesave nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme, furnizimi me material shpenzues dhe masa mbrojtës për stafin shëndetësorë, përfshirë edhe dorëzat është i mirë.

“ShSKUK në bashkëpunim me Departamentin Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, së fundmi është furnizuar me sasi shtesë të masave mbrojtëse, të cilat përmes Shërbimit Farmaceutik në ShSKUK janë shpërndarë për klinikat që po trajtojnë rastet COVID-19, por edhe spitalet e përgjithshme.

Poashtu, ShSKUK është e furnizuar me barnat themelore që nevojiten për trajtim të rasteve me COVID-19”, thuhet në njoftimin për media.

ShSKUK ka theksuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, do të vazhdojë të furnizojë me masa mbrojtëse klinikat dhe spitalet e përgjithshme.

“ShSKUK falënderon të gjithë mjekët, infermierët dhe punëtorët tjerë mbështetës që përkundër mbingarkesës së madhe janë duke ofruar shërbime shëndetësore për pacientët e dyshuar dhe konfirmuar me COVID-19”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/