Telegrafi

Shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2009

Thaçi ka pohuar se në këtë buxhet parashihen edhe rritje të pensioneve, rritje të pagave të shërbyesve civilë, ndërtimi dhe renovimi i shkollave fillore dhe të mesme, investimet në shëndetësi dhe në infrastrukturën rrugore.

“Kosova do të shpenzojë 1 miliardë e 430 milionë euro, investime të cilat do ta transformojnë Kosovën në shumë mënyra. Do të shpenzojmë më shumë se 100 milionë euro në rrugë, 53 milionë euro për renovimin e rrugëve të vjetra dhe 30 milionë në rrugë të reja”. Do të vazhdojmë me ndërtimin e rrugës Prishtinë-Kaçanik, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Mitrovicë dhe projektin madhor Vërmicë-Merdare. Në vitin e ardhshëm do të ndërtojmë dhe rinovojmë rreth 60 shkolla fillore dhe të mesme, dhe do të shpenzojmë rreth 40 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës shkollore”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se përsa i përket shëndetësisë, janë ndarë 66 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) dhe se ky sektor është përcaktuar një nga prioritet kryesore .

Thaçi, po ashtu, ka bërë të ditur se janë ndarë rreth 60 milionë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, gjithashtu edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Një kujdes i veçantë në këtë buxhet, sipas tij i është kushtuar rregullimit të gjendjes energjetike në Kosovë.

“Ndryshimet më të mëdha do t’i shohim në sektorin e energjisë me projektin “Kosova e re”, për privatizimin e pjesës së KEK-ut që merret me distribuim. Këto ndryshime do t’i bëjmë shpejt dhe në mënyrë të vendosur. Duhet të ndahemi një herë e mirë nga terri tetëvjeçar i Kosovës”.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se do t’i kushtohet vëmendje e veçantë edhe partneritetit të biznesit, duke stimuluar bizneset dhe duke u ndihmuar në avancimin e sistemit tatimor dhe ndryshime të tjera.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF), Ahmet Shala, ka theksuar se ky projektbuxhet adreson nevojat e vitit të ardhshëm, por sipas tij, natyrshëm do të ketë ndikim edhe në vitet tjera.

Ai ka veçuar krijimin e një mjedisi ku sektori privat do të mund të funksionojë dhe të shtohen vendet e reja të punës. Ndërkaq ka vënë në pah rritjet nga të hyrat, që arrijnë në 8 për qind më lart ,krahasuar me vitin e kaluar dhe rritjen e bruto produktit për 10 për qind.

“Nëse dikush zgjedh të kritikojë këtë buxhet, nuk do të ishte e drejtë dhe e mirë, por duhet të japë alternativa”. /Telegrafi/