Site icon Telegrafi

Shqyrtohet investimi prej 50 milionë euro në shëndetësi

Sektori publik shëndetësor prej vitesh vuan nga mungesa e pajisjeve mjekësore për punë. Si rrjedhojë, vlerësohet se edhe cilësia e shërbimeve shëndetësore për pacientët është jokualitative.

Shpeshherë pacientët referohen në ordinanca private nga vetë mjekët nga institucionet publike shëndetësore, me arsyen se nuk punojnë aparatura të caktuara ekzaminuese për diagnostikim të sëmundjeve.

Ministria e Shëndetësisë së fundmi ka iniciuar studimin e fizibilitetit për të gjitha institucionet publike shëndetësore, që nënkupton një studim të brendshëm se çka ka nevojë ky sektor për t’u kompletuar me pajisje të nevojshme për punë.

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, i tha Radios Evropa e Lirë, se tashmë në Kosovë janë disa ekspertë të huaj ku bashkë me ata vendorë janë duke bërë një studim të brendshëm, për nevojat që ka sistemi shëndetësor publik, sa i përket kompletimit të aparaturave mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga “Western Balkans Investment Framework”, që përmes përkrahjes së Bankës Evropiane të investojë 50 milionë euro për këtë projekt.

“Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, ka nisur studimi i fizibilitetit për Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i cili do t’i hapë rrugë projektit prej rreth 50 milionë eurosh për pajisje mjekësore për spitalet publike”.

“Ky studim do të zgjasë tetë muaj dhe ekipi i ekspertëve nga Evropa që përbëhet nga arkitektë, inxhinierë e të tjerë kanë ardhur në Kosovë, do ta bëjnë gati dokumentin strategjik, në bazë të të cilit do të bëhen investimet në bashkëpunim me ekspertë vendorë. Ky projekt ka për qëllim të vlerësojë gjendjen ekzistuese të infrastrukturës së pajisjeve ekzistuese mjekësor, të kujdesit dytësor dhe tretësor”.

“Parashihet që përmes këtij projekti t’i hapet rrugë investimit 50 milionësh për furnizimin e pajisjeve mjekësore që kanë munguar nëpër spitale publike”, tha Matoshi.

Por kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla tha se ky ka qenë projekt i mëhershëm, ku këshilli i ministrave të Qeverisë së Kosovës e ka diskutuar që të marr një kredi prej 50 milionë eurosh, për të investuar në shëndetësi.

Megjithatë, siç thotë Syla, këto të holla ishin planifikuar të investohen edhe në objekte shëndetësore, ndonëse këtë çështje e sheh si politike dhe i quan objekte fantome. Nëse ndërtohen objekte shëndetësore të reja, sipas tij, tash për tash nuk ka mundësi funksionalizimi, për shumë arsye, e ndër të tjera edhe si mungesës e stafit mjekësor.

“Kjo ka qenë një iniciativë edhe më e hershme, ku këshilli i ministrave pati marrë vendim, që të marrin borxh 50 milionë euro për investime në pajisje mjekësore”.

“Nëse realizohet, kjo e ndihmon shërbimin dhe performancën. Por, nëse investohen në ndërtimin e spitaleve fantome, ashtu siç po e planifikojnë ndërtimin e objekteve, atëherë është dështim dhe vendim politik”, tha Syla.

Derisa Albatrit Matoshi thotë se e gjithë puna është paraparë të zgjasë rreth tetë muaj, në mënyrë që të dihet saktë se cilat janë nevojat e furnizimit me pajisje mjekësore brenda institucioneve publike shëndetësore.

“Projekti i studimit të fizibilitetit është i financuar nga ‘Western Balkans Investment Framework’, do të realizohet përmes përkrahjes së Bankës Evropiane për Investime. Do të kushtojë rreth 260 mijë euro dhe do të zgjasë tetë muaj. Më pas, Ministria e Shëndetësisë do të ketë dokumentin strategjik, ku në bazë të saj do të orientojë investimet sa i përket pajisjeve që mungojnë”, tha Matoshi.

Sidoqoftë, përpos mungesës së aparaturës së nevojshme, ky sektor vuan edhe nga mungesa e barnave të listës esenciale që nga lufta e fundit në Kosovë.

Exit mobile version