Një student 21- vjeçar ka tentuar të rrëmbejë një vajzë mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Saukut, në Tiranë, shkruan “Panorama”.
I riu e përndiqte prej disa muajsh vajzën 18 vjeçe, ndërsa dy ditë më parë e ka pritur para një lokali duke tentuar ta fuste me forcë në makinën e tij tip “BMW X6”.
Burime zyrtare të Policisë së Tiranës kanë thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, por ndërkohë është arritur të parandalohet falë ndërhyrjes në kohë të forcave të rendit. Fillimisht vajzës i kanë ardhur në ndihmë disa kalimtarë të rastit, por nga ana tjetër, ajo kishte telefonuar më parë Policinë, duke denoncuar përndjekjen, duke qenë se kishte pikasur të riun që e ndiqte.
Policia e Tiranës ka thënë se shërbimet e Komisariatit nr.1 arritën të arrestonin në flagrancë studentin 21-vjeçar Irind Kateshi, i cili akuzohet për “përndjekje”. Ndërsa pas ndërhyrjes së Policisë, adoleshentja Xhoena N., u paraqit në Komisariat ku denoncoi edhe me shkrim ngjarjen.
KALLËZIMI
Të mërkurën, rreth orës 22:45, është paraqitur në Komisariatin nr.1 shtetasja Xhoena N., 18 vjeçe, nga Skrapari dhe banuese në Farkë të Vogël të Tiranës, e cila ka denoncuar se është përndjekur nga një person, i cili ka tentuar ta fusë me forcë në makinë.
Në kallëzimin e dhënë adoleshentja ka deklaruar se prej kohësh përndiqet nga ana e shtetasit Irind Kateshi, duke i krijuar gjendje frike e ankthi dhe pasiguri për jetën.
“Konkretisht, sot (të mërkurën), rreth orës 22:30, Irind Kateshi më ka pritur në rrugë dhe ka tentuar të më fusë me forcë në makinën e tij. E kisha parë makinën nga larg dhe telefonova Policinë, pasi ky person më përndiqte prej kohësh. Është dashur ndërhyrja e personave të tjerë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë ndërprerë veprimet e Irind Kateshit”, ka deklaruar në kallëzimin e saj 18-vjeçarja Xhoena N.
ARRESTIMI
Menjëherë pas telefonatës së 18-vjeçares dhe adresës së dhënë nga ana e saj, shërbimet më të afërta të Komisariatit nr.1 janë nisur drejt vendngjarjes.
Në momentin që Policia ka mbërritur aty, ka parë që disa persona i kishin ardhur në ndihmë denoncueses, ndërsa personi i dyshuar po tentonte të largohej me makinën e tij tip “BMW X6”.
Policia i ka bërë shenjë të ndalojë dhe 21- vjeçari Kateshi është bindur. Më pas ai është shoqëruar në Komisariatin nr.1, ku është marrë në pyetje rreth ngjarjes, derisa në orën 02:00 të ditës së djeshme i është komunikuar arrestimi me akuzën e përndjekjes.
Vetë i arrestuari ka mohuar akuzat, duke pretenduar se thjesht ka dashur të bisedojë me adoleshenten dhe t’i kërkonte asaj një lidhje dashurie, pasi e pëlqente.