Një shqiptar që u gjet pa jetë nga e dashura e tij në oborrin e shtëpisë në Itali nuk është vetëvrarë.
Mediat italiane raportojnë sot se shqiptari B.H, 35-vjeçar, për të cilin u tha se i dha fund jetës duke u vetëvrarë, ndërkohë që ishte në arrest shtëpie, në fakt nuk është vetëvrarë.
Përgjigjen e ka dhënë autopsia, të cilës i referohen mediat italiane, përcjellin mediat shqiptare.
Sipas tyre, shqiptari ka pësuar një krizë të hiperglicemisë, e cila i ka shkaktuar edhe vdekjen.
Mësohet se i riu ishte diagnostikuar me një formë të rëndë të diabetit, për të cilën mjekët i kishin rekomanduar shtrimin në spital. Por duket se ai e kishte refuzuar.
Natën e ngjarjes, kur ai u gjet me litar rreth vetes dhe i pajetë poshtë një peme, ai ka qenë duke luajtur me qenin e tij.
Dhe litari sipas hetimeve ishte pikërisht i qenit. Autopsia nuk ka zbuluar mbytje, por ka konfirmuar krizën e sëmundjes që i shkaktoi vdekjen.