Telegrafi

‘Shqiptari’ personazh negativ në filmat e huaj

“Liam Neeson i shpall luftë Shqipërisë”. Kështu ka preferuar ta titullojë shkrimin e vet, për filmin e ri që sapo ka dalë në kinematë botërore, një gazetë e huaj. Bëhet fjalë për filmin “Taken” me regji të Pierre Morel, me skenar të Luc Besson e Robert Mark Kamen.

Protagonist është aktori i njohur amerikan Liam Neeson, i cili luan rolin e një ish-agjenti sekret, të cilit i rrëmbejnë vajzën në Paris. Rrëmbyesit janë në shërbim të një mafiozi shqiptar, që quhet Marko dhe që luhet edhe nga një aktor shqiptar, Arben Bajraktaraj.

Duke qenë se filmi ka pak ditë që ka nisur të bëjë xhiron e kinemave botërore, mediat e huaja shkruajnë çdo ditë për të dhe kudo lexon për “bandën mafioze shqiptare”.

Por “Taken” nuk është i pari film, ku “të këqijtë” vishen me rrobat e shqiptarëve. Pavarësisht se ajo përfaqëson një tjetër grupim dhe ka një tjetër fat, edhe Lorna e vëllezërve belgë, Dardenë, nuk është gjë tjetër veçse një emigrante mashtruese nga Gramshi.

Po kështu, dy vjet më parë agjenti i famshëm 007, Jammes Bond, i interpretuar nga Danniel Craig, duhet të përballet në një “dyluftim” pokeri pikërisht me një mafioz shqiptar.

Deri këtu jemi në filma të realizuar në Amerikë, apo Belgjikë, për të mos folur për kinematografinë italiane. Nuk e ekzagjerojmë nëse themi që nuk ka serial policesk, në të cilin fqinjët nuk fusin ndonjë bandë kriminale shqiptare. Madje ndër të dyshuarit e parë janë pikërisht shqiptarët.

Për të mos folur për vajza të dhunuara e të trafikuara, të cilat më së shumti janë shqiptare apo moldave. Si një vend i vogël që jemi, me pak banorë, na dëgjohet zëri jo pak. Por duket se në kinematografi, kemi damkën e të “këqijve”.

Ndoshta do të na duhet të mësohemi me këtë lloj stereotipi, ashtu si italianët, për vite me radhë kanë mbajtur vulën e “padrinove” e arabët si “terroristë” e “kamikazë”. /Panorama/