Një pakistanez ka ndërruar jetë, pasi sot rreth orës 00:40 në autostradën “Durrës – Tiranë” vetura me të cilën po vozitej bashkë me shqiptarin nga Hasi është aksidentuar.
Sipas njoftimit të lëshuar nga policia shqiptare, mjeti tip “Mercedez Benz” që po drejtohej nga shqiptari S.M. dhe që kishte pasagjer pakistanezin N.M., është përplasur me një “Volkswagen” ku shtetasi i huaj ka mbetur i vdekur, përcjell Telegrafi.
Vozitësi shqiptar ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë
Më datë 28.06.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi S.M., 25 vjeç, lindur në Has dhe banues në Angli, pasi rreth orës 00:40 në autostradën “Durrës – Tiranë”, duke drejtuar mjetin tip “Mercedez Benz”, me pasagjer shtetasin e huaj pakistanez N.M., ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit dhe është përplasur me mjetin tip “Volksvagen”, me drejtues shtetasin B.Ll., ku për pasojë ka gjetur vdekjen pasagjeri i mjetit tip “Mercedes Benz”, shtetasi i huaj N.M., ndërsa drejtuesi S.M., ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nenet 290/3 dhe 273 të Kodit Penal./Telegrafi/