Telegrafi

Shqiptari fitues i Sanremos – jeta dhe karriera e Ermal Metës

(Foto: Getty Images)

Festivali i këngës italiane, Sanremo, është gara më e popullarizuar italiane e këngës që zhvillohet çdo vit në qytetin e Sanremoes në Itali, ndërsa ka qenë frymëzim për themelimin e Festivalit evropian të këngës, Eurovision.

Edicioni i parë i këtij festivali është zhvilluar në vitin 1951, ndërsa edicionin e tij të sivjetmë e fitoi një shqiptar. Ermal Meta u bë pjesë e historisë së kësaj gare muzikore, pasi së bashku me Fabrizio Moron u shpallën fitues të ‘Festival di Sanremo’.

(Foto: Twitter/Ermal Meta)

Ermal Meta është një këngëtar dhe kompozitor shqiptar, i cili e nisi karrierën si anëtar i bendeve italiane, “Ameba4” dhe “La Fame di Camilla”, grupe këto që konkurruan në kategorinë e ‘Depërtimeve të reja në Festivalin muzikor të Sanremos.

Lexo po ashtu Të pandalshme sukseset e shqiptarëve, Ermal Meta fiton Festivalin Sanremo

Pasi shkroi këngë për shumë artistë italianë, ai e nisi karrierën solo duke publikuar dy albume “Umano” (2016) dhe “Vietato morire” (2017). Albumi i dytë arriti vendin e parë në top-lista në Itali, ndërsa u udhëhoq nga kënga me të njëjtin emër.

Me këtë këngë, ai konkurroi në Festivalin Sanremo në vitin 2017 dhe e zuri vendin e tretë. Fitues në atë edicion ishte Francesco Gabbani          me këngën “Occidentali’s Karma”, kurse Fiorella Mannoia me këngën “Che sia benedetta” zuri vendin e dytë. Ermali nuk doli duarthatë nga edicioni i vitit të kaluar, pasi e fitoi çmimin e kritikës ‘Mia Martini’.

(Foto: Twitter/Ermal Meta)

Ndërsa kulmi i karrierës së tij ishte padyshim të shtunën mbrëma, kur së bashku me Fabrizio Moron fituan edicionin e 68-të të Festivalit Sanremo duke siguruar automatikisht biletën për ta përfaqësuar Italinë në ‘Eurovision 2018′ në Lisbonë.

Jeta dhe karriera

(Foto: Getty Images)

Ermal Meta ka lindur në Fier të Shqipërisë, ndërsa në moshën 13 vjeçare u vendos në Bari të Italisë me familjen e tij. Ai debutoi si kitarist për bendin “Ameba4”, me të cilin në vitin 2006 konkurroi në kategorinë e depërtuesve të rinj në Sanremo me këngën “Rido… forse mi sbaglio” që ishte pjesë e albumit që mbante emrin e grupit.

Në vitin 2007, ai u bë këngëtari kryesor dhe kompozitori i grupit “La Fame di Camilla”. Albumi debutues që mbante emrin e këtij grupi u publikua në vitin 2009 nga Universal Music. Një vit më pas, bendi e publikoi albumin “Buio e luce”, ndërsa me këngën kryesore të albumit konkurroi në Festivalin Sanremo, po ashtu në kategorinë e depërtuesve të rinj. Tre vite më pas (2013), grupi u shpërbë.

Asokohe 36-vjeçari e vazhdoi karrierën muzikore duke shkruar këngë për artistë të tjerë italianë, si Marco Mengoni, Emma, Chiara, Annalisa, Patty Pravo e Lorenzo Fragola.

Menjëherë pas, Meta vendosi ta ndiqte karrierën solo. Në vitin 2013, ishte mysafir i Patty Pravos në këngën “Non mi interessa”. Një vit më pas kontribuoi në kolonën zanore të serialit televiziv “Braccialetti rossi” duke realizuar këngën “Tutto si muove”.

Në vitin 2016, Ermali vazhdoi të ishte konkurrues në Festivalin Sanremo, kësaj radhe me këngën “Odio le favole”, e cila u rendit e treta në kategorinë e të rinjve. Kjo këngë ishte pjesë e albumit të tij debutues si solo artist, të titulluar “Umano”.

Lexo po ashtu Ermal Meta: Emocion i papërshkrueshëm, faleminderit të gjithë atyre që na kanë mbështetur

Ai i u kthye konkurrimit në festivalin ikonik italian në vitin 2017, por për herë të parë  në kategorinë e yjeve të mëdha me këngën”Vietato morire”, e cila trajtonte temën e dhunës në familje . Në natën e tretë të festivalit, këngëtari interpretoi një version të këngës së Domenico Modugnos, “Amara terra mia”, duke fituar çmimin për performancën më të mirë të një ‘Cover’.

Në renditjen e përgjithshme të edicionit të kaluar të Sanremos, Meta zuri vendin e tretë, mirëpo e fitoi çmimin e kritikës ‘Mia Martini’. Në shkurt të vitit 2017 u publikua albumi “Vietato morire”, në të cilin u përfshi edhe dueti me kantautoren italiane, Elisa.

Në mars të vitit 2017, Ermali u zgjodh pjesë e jurisë në edicionin e 16-të të spektaklit për talentë, “Amici” të Maria De Filippit.

Në nëntor të vitit të kaluar, në ceremonie e ndarjes së çmimeve ‘MTV Europe Music Awards’ një çmim u nda edhe për këngëtarin shqiptar. Ai mposhti konkurrentët në garën për ‘Veprën më të mirë italiane’ duke dalë triumfues.

Suksesi i tij kulmoi me triumfin në festivalin më të madh italian, Sanremo, në kategorinë e artistëve të mëdhenj, ku u shpall fitues me duetin me Fabrizio Moron. Kënga “Non mi avete fatto niente” u shpall kënga më e mirë duke lënë prapa Lo Stato Sociale dhe Annalisa.

Këtë edicion, këngëtari shqiptar dhe bashkëpunëtori i tij e fituan edhe çmimin ‘TIMmusic’, duke qenë se kënga “Non mi avete fatto niente” ishte më e dëgjuara në aplikacionin muzikor të këtij operatori. Ndërsa tash, si fitues të Sanremos, Meta dhe Moro janë automatikisht përfaqësues të Italisë në ‘Eurovision 2018′ që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë. /Telegrafi/