Site icon Telegrafi

Shqiptari i deportuar nga Britania që u rikthye me Ferrari mbi 300 mijë euro, ironizon me politikanin ekstremist Nigel Farage

Dorian Puka, një shqiptar i ri nga Lezha, i cili është deportuar dy herë nga Mbretëria e Bashkuar, ka përfunduar sërish në titujt e mediave britanike.

Puka, i dënuar më parë për grabitje banesash, u vu në qendër të një raportimi të “The Telegraph” javën e kaluar, ku ai shfaqej duke drejtuar një veture Ferrari me vlerë 300 mijë funte, apo 360 mijë euro.

Kjo ngjarje u përdor si material nga politikani i njohur anti-emigrant, Nigel Farage, i cili drejton një emision në GB News.

Ish-kreu i partisë së ekstremit UKIP në Britaninë e Madhe, një prej politikanëve që shtyu vendin drejt “Brexit” me fushatat e tij, është rikthyer për të sulmuar emigrantët (ekstrakomunitarë) dhe veçanërisht ata shqiptarë.

Farage madje postoi një video në rrjetin social X, derisa Nigel Farage ka sulmuar sistemin e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar.

“Pra, kemi një kriminel shqiptar, ai deportohet nga Mbretëria e Bashkuar, kthehet në mënyrë të paligjshme, lë një vajzë lituaneze shtatzënë, dhe tani ne nuk e deportojmë dot, sepse neni 8 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, nënkupton se ai ka të drejtën të ketë një familje, prandaj, mund të qëndrojë”.

“Kemi dhe një shqiptar tjetër, që është dëbuar dy herë, dhe tani bën xhiro rrugëve të Londrës me një Ferrari. Dhe nuk shpëtojmë dot prej tij, deri t’i procedohet kërkesa për azil. Ne praktikisht po na shkelin me këmbë kriminelët e huaj dhe jemi tepër të padobishëm dhe tepër të paguximshëm për të bërë diçka për këtë”, u shpreh Farage.

Puka, në përgjigje të kritikave, postoi këtë të diele një fotomontazh ku shfaqet duke darkuar me Farage, duke e cilësuar si “vëllai im”, dhe e etiketoi atë në Instagram.

Historia kriminale e Pukës në Britaninë e Madhe daton në vitin 2016, kur ai u burgos për nëntë muaj për tentativë vjedhjeje.

Pas dëbimit, ai u kthye brenda një viti dhe kreu më shumë vjedhje në Londër.

Ai u kap, u dënua me tre vjet e gjysmë dhe u deportua sërish në mars 2020. I pashqetësuar, Puka hyri sërish në Britani në dhjetor 2020, duke udhëtuar nëpër disa vende evropiane.

Ai është aktualisht me kusht imigracioni me një etiketë elektronike ndërsa pret një vendim të gjykatës për kërkesën e tij për azil.

Llogaritë e Pukës në rrjetet sociale tregojnë një mënyrë jetese luksoze. Përveç videos së Ferrarit, ai ka postuar imazhe me makina të tjera luksoze, duke përfshirë një Porsche Cayenne dhe një Bentley Bentayga.

Ministria e Brendshme britanike deklaroi për “The Telegraph” se Puka nuk mund të deportohet deri në shqyrtimin e kërkesës së tij për azil nga gjykata e imigracionit, njofton Telegrafi.

Exit mobile version