Misioni i KFOR-it vazhdon të ketë prezencë të shtuar në veri të vendit në kohën kur Kosova dhe Serbia nuk po arrijnë marrëveshje për t’i ulur tensionet rreth targave dhe reciprocitetit me dokumente. Shqiptarët ndihen më të sigurt me prezencën e KFOR-it atje, por serbët e Mitrovicës së Veriut kërkojnë largimin e NATO-s nga Kosova.
Autoblindat e ushtarët e NATO-s vazhdojnë të jenë në numër më të madh në rrugën që çon në këtë pikë kufitare, por edhe në atë të Jarinjes.
Por shtimi i patrullimeve të KFOR-it pas tensioneve të 31 korrikut nuk ua ka hequr pasigurinë krejt shqiptarëve që jetojnë afër veriut.
Një ndjenjë të tillë e ka Hajrullah Brahimi, i cili banon në fshatin Koshtovë.
“Po enden ma shpesh po të sigurt nuk jemi kërkun. Siguri s’ka këtu hiç. Po shihet në tona anët barrikada, bllokada, ngacmime kështu që siguri s’ka kërkun hiç, por në dorë të Zotit, në mëshirën e këtyre udhëheqësve nalt”, ka thënë Brahimi.
Por vlerësim ndryshe nga Brahimi, ka bashkëfshatari i tij Nexhmedin Salihu.
“Qe një javë ditë ka pak ma shumë forca të KFOR-it, Policisë. Kështu pak ma të sigurt po e nijmë veten. (A pritni me ndryshu situata më 1 shtator?) Nuk e di valla, nuk e di çka me thanë. Po thonë që diçka ka me kanë po nuk e di”, ka shtuar Salihu.
Prezenca e shtuar e ushtarëve të KFOR-it ka nisur mos t’i pëlqej Aleksandar Vuciqit.
“Presidenti serb ka thënë prezenca dhe postblloqet e KFOR-it po pengojnë qarkullimin e serbëve. Për këtë Vuciq ka thënë se do t’i shkruajë letër NATO-s, ndërkohë që ka kritikuar misionin për ushtrimet e përbashkëta me FSK-në”.
Një ditë pas kësaj deklarate të Vuciqit janë shfaqur grafite të reja në veri. Kësaj radhe kundër aleancës ushtarake veri-atlantike, ku Kosova synon të anëtarësohet.
“NATO shko në shtëpi. Kjo është Serbia”, thuhet në mbishkrimet e vendosura në sheshin “Car Llazar” të Mitrovicës së Veriut.
Disa prej qytetarëve serbë të kësaj komune mbështesin një kërkesë të tillë.
“NATO po mbron, por kohëve të fundit më shumë mban anën e shqiptarëve. Gjthçka më shumë anon në anën e shqiptarëve pasi që kanë përkrahjen e të mëdhenjëve”.
“Gjithkush ka të drejtë në mendimin e vet. Edhe shqiptarët kanë te drejtë për mendimin e tyre si serbët, por duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët. Ne mendojmë që këtu është Serbi, ju atje mendoni që nuk është. Por, e kemi edhe të drejtën mos të përleshemi dhe të jetojmë mire”.
Por me grafite të tilla nuk pajtohet Miodrag Miliçeviq nga organizata joqeveritare serbe “Aktiv”.
Ai thotë politika dhe dialogu në fund duhet të fitojnë dhe të jenë primare mbi të gjitha.
“Këto janë shenja të vogël të së ashtuquajturës rezistencë të disa njerëzve në procesin e integrimit dhe deklarata të tilla definitivisht kontribuojnë në rritjen e tensioneve ndërmjet komuniteteve dhe potencialisht grupe radikale që natyrisht kanë rezultuar edhe me grafiti të tilla, që në fakt këto nuk janë grafitet e vetme që kemi parë”, ka theksuar Miliçeviq.
Më 1 shtator pritet të rikthehet në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me Serbinë për targat dhe dokumentet e identifikimit./RTV Dukagjini/