Katër shqiptarë dhe një femër ukrainase, janë arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia italiane në Romë, pasi kanë rrëmbyer një biznesmen 42-vjeçar vendas, që nuk kishte kthyer një borxh.
Ngjarja ka ndodhur në tetor, kur biznesmeni roman është marrë nga shtëpia e tij në kryeqytetin italian dhe u çua në bodrumin e një bari, ku u mbajt jashtë dëshirës së tij për katër ditë, dhe u dhunuar rëndë fizikisht, seksualisht dhe verbalisht.
Sipërmarrësi ka arritur të shpëtojë duke shfrytëzuar një moment kur pengmarrësit ishin të pavëmendshëm. Ai ishte detyruar të kontaktojë një të njohur në mënyrë të gjente një shumë parash dhe t’ia jepte rrëmbyesve të tij, duke shlyer edhe borxhin. Dhe në këtë pikë, ai arriti t’ia mbathë dhe denoncoi në polici atë që kishte ndodhur.
Në pranga janë vënë C.A., 35-vjeç, me precedentë të shumtë penal, M. A., 22-vjeç, me precedentë penalë dhe G.B., 40-vjeç, i pastër penalisht, të tre të akuzuar për zhvatje, dhënie parash me fajde, rrëmbim personi, dhe shkaktim të lëndimeve të rënda trupore.
Në pranga janë vënë edhe P.B., 18-vjeç, i padënuar më parë dhe L.K., një grua me origjinë ukrainase, të cilët janë arrestuar me akuzën e shkaktimit të lëndimeve.