Site icon Telegrafi

Shqiptarët provokues? Stop këtij portretizimi!

Provokim politik, nxitje dhune dhe mosbindje sportive. Po humbasim betejën mediatike në mbarë botën dhe kjo mbi bazën e këtyre tri arsyeve. Kemi kundër kreun e UEFA-s, zëdhënësen e institucionit më të lartë evropian për politikën e jashtme, disa politikanë evropianë me qëndrime personale në rrjetet e tyre sociale, dhe në shumicën dërrmuese – kemi kundër të gjithë median ndërkombëtare.

Incidentet në Beograd po përqendrohen te “flamuri” mbi stadium dhe pakkush po merret me dhunën fizike ndaj lojtarëve tanë. Ndërkaq, është qesharake hapësira që i lihet ndërkombëtarisht situatës së rënduar psikologjikë në stadium, ku për të 40 minutat e luajtura, tifozët nuk e ndalën korin “T’i therim shqiptarët”. E, kjo përmendet kaq pak, sa pothuajse nuk komentohet askund në median ndërkombëtare.

Faji po i mbetet Xhakës që ia mori nga duart simbolin Mitroviqit, sapo ky e uli. Dhe, shqiptarët po titullohen në çdo faqe të mundshme sportive e politike në glob si “provokues politikë”.

Shpifjet mbi përfshirjen e vëllait të kryeministrit në ngjarje nuk përgënjeshtrohen nga të gjitha mediat (me gjithë deklaratat e tij në prestigjiozet CNN apo BBC) dhe ndjesia që po ngrihet mbi imazhin e shqiptarëve si “provokatorë ballkanas që meritojnë të izolohen sërish” është e shëmtuar dhe e frikshme.

Komentet e të gjithë zyrtarëve ndërkombëtarë që kanë folur deri tani janë të njëanshme dhe në mënyrë të pafalshme e shumë kokëfortë, anashkalojnë thirrjet raciste të stadiumit, sjelljen e papranueshme gjatë himnit shqiptar dhe sendet e hedhura në mënyrë të përsëritur në fushë. Ku po humbasim tjetër terren? Te reagimet zyrtare.

Në Serbi nuk ka mbetur më zyrtar duke nxitur të kundërsulmojë, duke e bërë Shqipërinë fajtore, si provokatore me “miq të papërgjegjshëm”, e duke i nxjerrë policët e vet heronj, lojtarët e tyre model sjellje (këtu kanë të drejtë) dhe të gjithë Serbinë viktimë të sjelljes së “rrezikshme të Shqipërisë me ëndrra pushtimi për fqinjët e mirë grekë, maqedonas e malazezë”. Dhe, gjithë bota për këtë po flet. Propaganda e tyre është e fuqishme, zyrtare, e shpeshtë, e instancave më të larta e normalisht, edhe efikase. Edhe në artikujt e pafundmë të botuar nëpër shtypin botëror, këtyre ideve u mëshohet, sepse ky zë dëgjohet: “Shqipëria provokoi dhe kjo rrezikon rajonin. Shqiptarët janë të prapambetur dhe duan shekuj të jenë të gatshëm për në Evropë”. Po! Dhe kori që këndon këtë këngë është po aq i papërballueshëm sa edhe 30 mijë tifozët që na donin të vrarë e të therur.

Ministria e Jashtme serbe thirri me urgjencë ambasadorin tonë në Beograd për t’i dorëzuar një notë proteste. Gjest që mund të na tërbojë si shqiptarë, por nga ana diplomatike është veprim i zgjuar. Çuditem pse ne nuk kemi për t’i thënë asgjë asnjë serbi, qoftë edhe ambasadorit në Tiranë. Jo sy për sy e dhëmbë për dhëmbë, por sikur karriget t’i kishin gjuajtur shqiptarët, do të ishte thirrur në Beograd ambasadori ynë, ndërsa në Hagë kryeministri.

Gjithandej nëpër faqet e shtypit zyrtar në botë, të paktat deklarata zyrtare që ka bërë Shqipëria (Twitter i kryeministrit, dalje për shtyp e Ministrit të Jashtëm dhe me 48 orë vonesë, deklaratë e vakët e FSHF-së), të gjitha publikohen e portretizohen si “të njëanshme dhe paragjykuese”.

Ç’po na dëmton tjetër? Mirë që festuam (?) brenda territoreve shqipfolëse, po edhe betejën e rrjeteve sociale po brenda vetes po e bëjmë. Shkruajmë shqip, shajmë shqip, kërkojmë drejtësi shqip. Nuk funksionon. Që serbët të mos shndërrohen papritur në viktima dhe që ne të kthehemi nga provokatorë në terroristë imagjinarë (siç i pëlqen rëndom medias ndërkombëtare të na etiketojë), duhet që zëri shqiptar të jetë zyrtar, pa asnjë emocion, i qartë, i drejtpërdrejtë dhe i mbështetur në faktet që po mbulohen me shpejtësi nga makina propagandistike e pritësve të ndeshjes.

Si mund të bëhet kjo? FSHF-ja duhet urgjent të furnizojë faqen zyrtare me informacion, qëndrime, foto dhe video në anglisht. Dhe të tregohet super e shpejtë në kontaktet me gazetat apo mediat botërore. Nëse nuk mundet, Duka dhe FSHF-ja i kanë aq para sa të kontraktojnë anglezë po e deshi puna, që të ndihmojnë jo vetëm editimin, por edhe hartimin e deklaratave tona. Se sot e kemi hallin me dhunën që na ndodhi në Beograd, por tej saj, jemi për faqe të zezë e ku të na kapësh më parë.

Pra, urgjentisht na duhen njerëz të zotë, le të kushtojnë shumë (përse janë sponsorët?), që të dinë të hedhin në letër kauzën tonë. Shqiptarë juristë të zotë dhe anglishtfolës pothuajse si të lindur në Britani? Aq më mirë. Vetëm të jenë profesionistë dhe të rregullojnë hijen që po krijon federata dhe zyrtarët tanë.

Së fundmi, fat i madh për të dyja vendet, por më tepër për Shqipërinë që kryeministri viziton Serbinë javën që vjen. Është momenti më i mirë për të treguar se tolerancën e kemi përvetësuar, se vlerat dhe principet që çojmë me vete në Evropë janë fiks siç pritet të jenë: pozitive. Se jemi faktor stabiliteti në rajon e kjo nuk vihet në dyshim as sot, as kurrë. Por, edhe se përrallat me mbret nuk i besojmë më prej disa shekujsh, e se Korfuzin, Pervezën, Janinën, Konicën, Shkupin, Tetovën, Ulqinin apo aq më tepër Kosovën, nuk i kemi parë në ëndërr. Se s’jemi në gjumë mijëravjeçar dhe as nuk po shohim për to ëndrra me sy hapur.

Dhe Kosova qenka për Serbinë po aq e rëndësishme sa Meka për Islamin, Jerusalemi për Palestinë apo Parisi për Francën?!

Zot na fal jetë të gjatë të shohim gjëra të bukura. Unë hyj te skeptikët që ngjarjen e Serbisë e shohin ftohtë dhe dalloj edhe shenjat e përgjegjësisë shqiptare. Por injorimin e çështjes sonë, nuk ka akull ta ngrijë. Ndaj, media, FSHF-ja dhe kryeministri kanë në dorë që zyrtarisht dhe menjëherë të reagojnë në mënyrën më civile të mundshme: Flamuri u valëvit me pajisje lodër sepse të vërtetin na e mohuan edhe në një lojë, e jo më në jetën e vërtetë. Në mos flamuri, do të ishte goli, fjala apo edhe thjesht prezenca e shqiptarëve që do ta çonte situatën për aty ku ishte nisur. Ndaj, të kontribuojmë që të ndalet kjo marrëzi e radhës! Stop portretizimit shqiptar si provokues dhe të serbëve si viktima. Me gjithë dashurinë e madhe për miqësinë, çdo palë duhet të përgjigjet për pjesën e vet dhe në mënyrë civile, mundësisht.
 

Exit mobile version