Site icon Telegrafi

Shqiptarët po vdesin më shumë, shumica nga zemra dhe tumoret

Nëntëdhjetë përqind përqind e vdekjeve në Shqipëri shkaktohen nga shkaqe natyrore. Në total në vitin 2017, kanë ndërruar jetë 22 mijë 232 shqiptarë. Ky numër është më i lartë se lindjet.

Peshën më të madhe këtu e mbajnë sëmundjet kronike të zemrës dhe tumoret. Nga zemra vdesin më shumë femrat ndërsa nga tumoret janë meshkujt në vend të parë.

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Statistikave mbi shkaqet e vdekjeve në Shqipëri, 90.1 për qind e shqiptarëve vdesin për shkaqe natyrale, pra sëmundje të ndryshme, 0.9 për qind kryejnë vetëvrasje dhe 2.1 për qind vdesin në aksidente.

Në 2017, 11.926 vetë kanë vdekur për shkak të sëmundjeve të zemrës, me 2.5 për qind rritje nga një vit më parë dhe po me hapa kaq të frikshëm, është rritur numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të tumoreve të ndryshme, me 2.1 për qind.

Statistikat janë rritur ndjeshëm kur flitet për sëmundjet kockave dhe kyçeve, me rritje 42.3 për qind, sëmundje të frymëmarrjes, të sistemit nervor apo sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes.

Në klasifikimin e sëmundjeve, rezultojnë në rënie të ndjeshme numri i vdekjeve nga sëmundje të lëkurës, ndërlikimet gjatë shtatzënisë dhe lindjes, sëmundje infektive apo për shkak të traumave e helmimeve. Grup-mosha më e prekur nga sëmundjet e zemrës, me 84.8 për qind është ajo mes 50-80 vjeç por nga tumoret janë më të rrezikuar personat nga 40-49 vjeç, me 38 për qind të numrit të vdekjeve.

Në 2017-ën, numri më i lartë i vdekjeve nga sëmundjet e zemrës është shënuar në Berat dhe Kukës, me mbi 60 për qind. Ndërkohë në Shkodër është shënuar numri më i lartë i vdekjeve për shkak të tumoreve. Në Lezhë, numri më i lartë i vdekjeve është shënuar për shkak të dëmtimeve traumatike dhe helmimeve.

Ndërsa, Elbasani është në krye për numrin e vdekjeve nga simptoma e sëmundje të papërcaktuara mirë. /Top Chanel/

Exit mobile version