Telegrafi

Shqiptarët paguajnë borxhet e Enverit

Pavarësisht propagandës së kohës se “gjithçka i bëjmë me forcat tona, pa ndihmën e vendeve kapitaliste, apo të fqinjëve tradhtarë”, duket ekonomia shqiptare e diktaturës komuniste nuk mund t’ia dilte e vetme, sidomos në periudhat kur ndërpriste marrëdhëniet me vende si Jugosllavia, Rusia apo Kina.

Nga viti 1945 dhe deri në 1991, periudhë kur nisi dhe përfundoi qeverisja komuniste, Shqipëria mundi të merrte borxh rreth 700 milionë dollarë. Sot, vendet e ish-bllokut komunist kërkojnë t’u kthehen sërish këto detyrime, ndërsa qeveria aktuale shqiptare përpiqet të gjejë kompromis për një kosto më të ulët. Aktualisht po zhvillohen negociata me disa vende, ku mësohet se qeveria shqiptare e ka njohur borxhin e marrë nga Enver Hoxha, për nevoja të vendit, por jo i gjithi do të shlyhet.

“Borxhi i vjetër i marrë në kohën e komunizmit, i cili është njohur prej nesh dhe ka filluar të shlyhet prej disa vitesh, është rreth 200 milionë dollarë. Borxhi total i marrë në kohën e komunizmit është shumë më tepër se kaq (rreth 700 milionë dollarë amerikanë), por pjesa më e madhe e tij iu fal Shqipërisë gjatë viteve 1991-1995”, tregon për gazetën “Shqip”, drejtori i menaxhimit të borxhit publik, në Ministrinë e Financave, Xhentil.

Në shumicën e rasteve, borxhi është marrë në formë “malli” dhe është çmuar në “clearing dollar”, vlera e të cilit tradicionalisht vlerësohet me raportin 1:1 me dollarin amerikan. Demiraj tregon se shtetet nga të cilat qeveria komuniste e kohës kishte marrë më shumë borxh gjatë periudhës së komunizmit janë Rusia, Kina dhe Greqia, totali i të cilave i afrohej vlerës së 100 milionë dollarëve. /Telegrafi/