Site icon Telegrafi

Shqiptarët ‘pa’ identitet kombëtar: një kthim tek mesjeta

Çështja e përfshirjes së pyetjeve për kombësinë dhe fenë në regjistrimin e ri të popullsisë në Shqipëri, ka rivënë në qendër të vëmendjes zbehjen dhe sabotimin që po i bëhet identitetit dhe çështjes kombëtare prej përfaqësuesve kryesor të elitës politike shqiptare. E njëjta kastë në pushtet që sikurse e dëshmoi edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i fali Greqisë një pjesë të hapësirës detare të Shqipërisë, ka vendosur që të trazojë keq dhe nëpërkëmbi akoma më tej identitetin kombëtar shqiptar pa u ndërgjegjësuar aspak për impaktin negativ e afatgjatë që ka për të shkaktuar. Pas paqes së Dejtonit, çështja kombëtare shqiptare ka qenë padyshim në qendër të vëmendjes së Ballkanit dhe komunitetit ndërkombëtar. Lufta në Kosovë, e pastaj në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, bëri që një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar ta konsideronte nacionalizmin shqiptar si një kërcënim stabiliteti dhe bën presion të madh që kërkesa legjitime e popullit shqiptar për liri, barazi e jetë me dinjitet në trojet e tij të zbehej sa më shumë për hir të stabilitetit.

Këtë kërkesë e pritën me kënaqësi të madhe elitat e krimbura politike shqiptare të cilat rendën me ngut që t’u serviloseshin ndërkombëtarëve duke garuar kush e kush dukej më anti-nacionalist. Të njëjtën gjë bënë edhe eksponentë kryesor të shoqërisë civile që e panë këtë retorikë anti-patriotike si një mënyrë të mirë për të vjelë fonde nga të huajt. Padyshim që Shqipëria nuk duhej të ngelej peng i mllefeve të së kaluarës historike apo të bëhej pjesë e ksenofobisë dhe shovinizmit që kanë karakterizuar fqinjët tanë, mirëpo zelli i madh i retorikës anti-nacionaliste, kombinuar edhe me rrethana të tjera kontekstuale, ka bërë që identiteti kombëtar shqiptar të jetë zbehur e venitur shumë më tepër sesa do iu duhej edhe vetë ndërkombëtarëve.

Një ndër gjerat që shpesh keqkuptohet në Shqipëri është se pavarësisht nga retorika kozmopolitane, ende nuk njihen shembuj alternativë të shtet-kombit. Është e vërtetë që deri diku Bashkimi Evropian po e sfidon deri diku dimensionin shtet-komb në këmbim të një identiteti të ri supra-nacional. Mirëpo thellimi i integrimit është ende një proces në rrugë e sipër dhe shtetet anëtare vazhdojnë të kenë një identitet kombëtar të theksuar. Me pak fjalë është e vështirë të funksionojë shteti pa kombin. Identiteti kombëtar është ai që u jep qytetarëve një ndjesi solidariteti, përkatësie, pronësie dhe bashkësie. Po ashtu një ndër elementet kryesore që do u jepte qytetarëve një përgjegjësi sociale për veprimet e tyre si dhe respekt dhe vlerësim për institucionet shtetërore, është pikërisht imagjinimi i bërjes pjesë në këtë komunitet të përbashkët. Vetëm duke patur një vetëdije kombëtare mundet që qytetarët ta shohin institucionet shtetërore dhe ligjet si diçka që u takon edhe atyre e për të cilat duhet që edhe ata të jenë të kujdesshëm dhe të përkushtuar.

Edhe demokracia nuk funksionon siç duhet nëse nuk ekziston një demos, pra një bashkësi e konsoliduar, nëse nuk ka një komb, pra një nyje lidhëse të qytetarëve. Nëse nuk ka ndjesi të përkatësisë kombëtare edhe qytetarët do i shohin qeveritarët e korruptuar me zili dhe lakmi e jo me urrejtje dhe revoltim sikurse do e lypte nevoja. Për një njeri të cilit nuk i dhimbset Shqipëria, një politikan hajdut është thjesht dikush që ai do të donte të ishte, e në pamundësi për të qenë vetë si ai, e sheh me xhelozi. Për një patriot një politikan i kalbur, siç fati i keq e do që të jenë goxha të shumtë kësaj dite, konsiderohet si një dëm i drejtpërdrejt ndaj diçkaje të shtrenjtë për të, një patriot sheh një lidhje të drejtpërdrejtë shkak pasojë mes prapësive të politikanit, dhe vuajtjes së shoqërisë, vendit dhe atij personalisht. Prandaj vetëm patriotët mund ta shporrin këtë klikë të kalbur që po përhapet si fruthi anembanë trojeve shqiptare, jo-patriotët janë thjesht lakmitarë që mezi presin që tu zënë vendin atyre.

Një tjetër problem që vihet re në këtë linjë është se identiteti kombëtar nuk është duke u braktisur për t’u zëvendësuar nga identitete më të avancuara se ai kombëtar, në këmbim të identitetit evropian, kozmpolitan apo të një dimension human universal. Kjo gjë është pothuaj e pamundur duke patur parasysh stadin e zhvillimit ekonomik, social, kulturor e arsimor të shqiptarëve.

Me heqjen apo zbehjen e identitetit kombëtar, shteti ynë ngelet një shtet dështak dhe shoqëria jonë rrëshqet në humbëtirat e mesjetës, pasi vakuumin e identitetit dhe krenarisë kombëtare, e zënë menjëherë identitete të tjera dytësore primitive, provinciale e në disa raste madje edhe të rrezikshme. Fashitja e identitetit dhe krenarisë kombëtare i hap rrugë në Shqipëri krahinorizmit të theksuar, që duket qartë me emërimet në administratë, si dhe identiteteve klanore e farefisnore. Në kushtet kur një identitet kombëtar shqiptar nëpërkëmbet dhe kur një identitet i ri kosovar vështirë se ndërtohet për sa kohë serbët ngelen barrierë të bashkëpunimit, atëherë marrin rrugë identitetet krahinore dhe për shumë syresh besnikëria politike ndaj identitetit drenicak, llapjan apo dukagjinas po bëhet më e rëndësishme se e ardhmja e Kosovës.

Mirëpo përtej rrezikut të krahinorizmit e provincializmit që ka qenë gjithnjë i pranishëm në botën shqiptare, kërcënimi më i madh vjen nga përçarja fetare dhe përqafimi i fundamentalizmit fetar si shenja kryesore dalluese e bashkësisë. Kjo gjë ka ndodhur masivisht në Sanxhak, ku ish-shqiptarët, sapo hoqën dorë nga identiteti kombëtar identifikohen thjesht si Muslimanac, një diçka hibride që të vetmen lidhje ka përkatësinë fetare. Gjurmët e fundamentalizmit fetar janë alarmuese dhe rasti i fundit i shqiptarit të Mitrovicës Arif Arid Uka që vrau në Frankfurt dy ushtarë të shtetit më aleat të shqiptarëve është një dëshmi e qartë. Në 2009 u arrestuan në SHBA tre shqiptarë, vëllezërit Dritan, Elvir dhe Shain Duka si terroristë nga Dibra e Madhe që synonin të kryenin një sulm në Fort Dix në Nju Xhersi. Në 2009 u arrestua gjithashtu në Karolinën e Veriut qytetari nga Kosova Hysen Sherifi. Në vitin 2010 në Tiranë me të njëjtën akuzë janë arrestuar Artan Kristo dhe Xhelal Sherifi. Po kështu deklaratat e pabesueshme të mitropolitit ortodoks të Beratit që e quante Kosovën, Jeruzalemin e Serbisë dhe shprehte maksimumin e solidaritetit ortodoks ndaj serbëve duke nëpërkëmbur historinë dhe fatet e shqiptarëve tregojnë të njëjtën gjë.

Nëse do të kishim një identitet kombëtar më të fortë, do të ishte e vështirë që këto lëvizje fundamentaliste fetare të rekrutonin qytetarë e të siguronin mbështetje publike. Në të tilla rrethana, jo vetëm që do të jetë tejet e vështirë për të ndërtuar struktura dinjitoze shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë, por sipas të gjitha gjasave këto dy vende do të ngelen me institucione të pakonsoliduara dhe mund të shndërrohen në burim konflikti dhe turbullire për të ardhmen.

Exit mobile version