Telegrafi

Shqiptarët nuk e duan euron

Por sa do të kushtojë lamtumira e lekut? Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit studentët e Fakultetit të Ekonomisë dhe Administrimit kanë organizuar një konferencë shkencore për të diskutuar mbi efektet e këtij procesi dhe bashkëjetesën e deritanishme mes monedhës vendase dhe asaj europiane. Sipas ekspertëve bankarë, konsumatorët shqiptarë duhet të jenë më të prirur t’i ruajnë kursimet e tyre në monedhën europiane, duke i bërë më fitimprurëse ato, ndërsa për kreditë sugjerojnë ato në lekë.

Shumica e konsumatorëve, të pyetur gjatë një anketimi, kanë argumentuar se pranimi zyrtar i euros do të sillte rritje të çmimeve dhe rrjedhimisht ulje të nivelit të jetesës, gjë që ndodhi në shumicën e vendeve të BE-së. Ekonomia dhe konsumatori shqiptar ndihen ende të papërgatitur për këtë hap, ndërkohë që pavarësisht dilemave dhe ndryshimit që është i domosdoshëm nëse vendi futet në BE, u konstatua se kërkesa për euron ka ardhur në rritje.

Për shkak të dërgesave të emigrantëve, import-eksporteve dhe transaksioneve që kryhen, si dhe investimeve dhe kredive të huaja, euro prej vitesh ka forcuar pozitat e veta në tregun shqiptar. Në konferencë është vlerësuar se operimi me dy monedha nuk i thjeshton gjërat, pasi e vë lekun të përballet me euron dhe shpesh të humbasë.

Mungesa e prodhimit vendas dhe mbizotërimi i mallrave të importit, si dhe ulja e dërgesave të emigrantëve konsiderohen si faktorë që ndikojnë në dobësimin e lekut kundrejt euros. Kostoja e paqëndrueshmërisë së raportit mes euros dhe lekut i prek të gjithë, që nga bizneset e mëdha deri tek individët, përmes shportës së konsumit. Analizat janë ndalur në efektet konkrete që do të sillte ndryshimi i monedhës zyrtare në vend dhe rrezikun e ngritjes së inflacionit.

Gjatë konferencës u propozuan disa rrugë për efekte sa më pak negative në pranimin e euros, mes të cilave ndryshime në legjislacion, si dhe hartimi i një projektligji, ku përveç Bankës së Shqipërisë të ndërhyjë edhe Drejtoria e Krimit Ekonomik për të shmangur manipulimet në kurset e këmbimit. Konferenca është përshëndetur nga rektori Agim Kukeli, i cili vlerësoi punimet e studentëve dhe u kujtoi se do të kenë mbështetjen e stafit akademik, që ndryshe nga tradita universitare në vend, vë në qendër të vëmendjes studentin dhe ecurinë akademike.