Site icon Telegrafi

Shqiptarët në sytë e të tjerëve

 Shpesh ndodh kur një individ bën ndonjë vepër të keqe, joligjore, të etiketohet i tërë populli shqiptar. Për këto veprime shpesh na quajnë: kriminelë, të korruptuar, ekstremistë…

Kur ndodhi rasti kur personi vrau dhe plagosi 90 të rinj në kampin e të rinjve, akuzohej vetëm personi e jo populli norvegjez. Bile, Norvegjia theksohej si vend i qetë dhe vend ku rrallë ndodhin vepra të tilla.

Rasti tjetër: kur babai keqtrajtoi vajzën, e mbajti të mbyllur me vite, në kushte te mjerueshme etj., prapë flitej keq vetëm për kryesin e veprës e jo për popullin të cilit i përket.

Një person shtiu në ushtarët amerikan – ishte lajmi i radhës. Mirëpo, posa u kuptua se ai person me shtetësi gjermane ishte shqiptar, lajmi ndryshoi: “Shqiptari shtiu në ushtarët amerikanë”! Dhe, filluan etiketimet se shqiptarët janë ekstremistë, se janë kështu e janë ashtu…

Disa mendojnë se për këtë imazh e këto etiketime kanë faj edhe se si na paraqesin para botës. Filmi “Taken”, seriali “Nikita”, së fundi edhe regjisori serb Kusturica që paralajmëroi filmin e radhës me temë trafikimin e organeve në Kosovë, e po ashtu edhe libri i gazetarit të njohur francez që paraqet Kosovën si shtet mafioz… nuk japin një pasqyrim të mirë për vendin tonë.

Mirëpo, faji është te ne, sepse në shumë vende kemi lënë “namin” për të keq . Në vendet e BE-së janë me mijëra shqiptarë “të padëshiruar”. Posa të kuptojnë se je shqiptarë, të shikojnë me ndrojtje. Disa nuk e dinë se ku gjendemi në hartë, disa na paramendojnë si në një vend afrikan të varfër, të paarsimuar, të pakulturuar. Po ashtu, sa herë dëgjohet ndonjë lajm ku janë arrestuar grupe që merren me drogë, gati është e pamundur që në mesin e tyre të mos ekzistojë një shqiptar.

Me gjasë nuk do të mjaftoj një spot publicitar i paguar me miliona për t’u emituar në kanalet si CNN dhe për të ndërtuar dhe përmirësuar imazhin e kosovarëve dhe të Kosovës.

Për ta ndryshuar këtë gjendje duhet shumë përgjegjshmëri dhe punë, shumë vepra të mira dhe definitivisht shumë vite. Të inkurajojmë dhe ndihmojmë rininë të ecën para në art, shkencë, sport, kulturë… Në çdo lëmi ta paraqesim veten dhe vendin tonë pak më ndryshe, në një dritë më të mirë, duke i vënë në pah virtytet e mira të shqiptarëve.

 

Exit mobile version