Ishim dëshmitarë të nënçmimit të ushtarëve të UÇK-së, të cilët u “nderuan” nga ushtarë partiakë me uniforma të huazuara nga kazermat e ARM-së. Dua te mos jetë kështu, por nuk mund të interpretohen ndryshe reagimet poshtëruese e mohuese të Qeverisë së Maqedonisë, partisë VMRO, shtatmadhorisë së ARM-së dhe presidentit të shtetit Maqedoni, kundrejt aktit politik të Fatmirit, Musës & Co. Gjynah të shkretët, duke nxituar sërish u ngatërruan në labirintin Gruevski. Kështu, jo sepse vërtetë u dhimbsen ushtarët e UÇK-së, por për t’ua mbuluar sytë shqiptarëve.
E, shqiptarët më shumë se kurrë e dinë se për t’i nderuar ushtarët e UCK-së, duhet të sjellësh Ligj për ta, njëjtë si për “branitellat”; fëmijëve të tyre mos ua zësh frymën me faturat e rrymës, mos t’i lësh pa bukë, pa ujë, pa shkollim… Në lagjet ku jetojnë ato t’ua asfaltosh rrugët, me mundësi dikujt t’i ndërtosh shtëpi me paratë e shtetit të përbashkët nëpërmjet projektit të Stavrevskit. Baballarëve të tyre t’ua ndërtosh përmendoret në qendër të Shkupit, sepse shqiptarët në Maqedoni me to identifikohen.
E di, arka e shtetit është e zbrazur si gjithmonë, por jo edhe për heronjtë e Koces. Jo një, po dy… gjashtë. Gjashtë ndërton Koceja dhe lutet për mirëkuptim. Mirëkuptimi është i plotë sepse edhe nëse bën zë nuk të dëgjon kush. As edhe nuk na sheh. Ata që shohin i kanë mbyllur sytë, ata që dëgjojnë kanë shkuar në kurbet, ata që ngrenë pak zërin doemos janë kundërshtarë të pushtetit. E pushtetarët nuk janë kundër popullit vetëm gjatë kampanjave elektorale, sepse populli duhet ti shtyjë “lartë” atje nga ku nuk duket poshtë; atje ku mund të pasurohesh brenda natës.
Rrofshin tenderët. Për mëngjes në Tetovë dhe Shkup, për drekë në Prishtinë, për darkë në Tiranë. Rroftë Shqipëria e Madhe – pa shqiptarë!