Reforma për arsim dyvjeçar në Maqedoni, e cila është planifikuar të nis nga shtatori i këtij viti, duket se nuk ka pasuar jehonën e nevojshme në mesin e shkollave të mesme profesionale në Maqedoni, shkruan gazeta Koha. Me theks të veçantë duket se do të mbesin jashtë programeve të arsimit profesional dyvjeçar nxënësit shqiptarë. Në përjashtim të dy shkollave të mesme të Shkupit, të cilat ofrojnë këso paralele me mësim në gjuhën shqipe, drejtimet e arsimit të mesëm në kohëzgjatje prej dy vjet janë inegzistente nëpër shkolla tjera të Shkupit dhe të qyteteve tjera ku arsimi i mesëm zhvillohet në gjuhën shqipe.
Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) shpjegojnë se “caktimi për llojin e drejtimeve dhe profileve, në të cilat do të formohen paralele për vitin shkollor 2017/2018 është bërë nga ana e vetë shkollave”. MASH, sikurse shpjegon këshilltari Safet Neziri, vetëm ka inkorporuar ato kërkesa, që kanë ardhur prej shkollave në Konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin shkollor 2017/2018.
Paraprakisht, MASH sipas tij, ka njoftuar shkollat e mesme profesionale me drejtimet dhe profilet e reformuara, dy dhe trevjeçare. Pas kësaj, ka qenë në të drejtën e vetë shkollave të kërkojnë ose jo hapjen e këtyre paraleleve. Sa i takon shkollimit në gjuhën shqipe, janë bërë disa kërkesa për programet e reformuar trevjeçare në shkollat e mesme të Strugës, Tetovës dhe Kumanovës, mirëpo në qytet ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, nuk janë kërkuar paralele të drejtimeve dyvjeçare.
Këso paralele u janë ofruar nxënësve shqiptarë vetëm në shkollat e mesme profesionale “Vëllezërit Milladinovci” dhe Zdravko Cvetkovski” në Shkup, edhe atë në drejtimet kopshtar, respektivisht moler dekorues dhe mirëmbajtës i instalimit të oxhaqeve. Paralele të mesme dyvjeçare në Shkup janë dhënë edhe në shkollat “Dimitar Vllahov”, drejtimi kasap dhe “Mihajlo Pupin” drejtimet elektromekanik për elektronike, elektromekanik për telekomunikacion, elektromekanik për hardverë dhe elektromekanik për softverë. Mirëpo, në këto drejtime nuk është paraparë të formohen paralele për nxënësit shqiptarë, edhe pse këtu ka paralele katër dhe trevjeçare me mësim në gjuhën shqipe.
Në fakt, numri i paraleleve të arsimit të mesëm dyvjeçar, është relativisht i vogël edhe në nivel të shtetit. Bashkë me 11 paralelet shkollave të Shkupit, sipas Konkursit për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin 2017/2018, në gjithë Maqedonisë janë gjithsej 17 paralele dy vjeçare. Përveç se në kryeqytet, këto paralele janë të shpërndara në Koçani, Krushevë, Ohër dhe Prilep.
Përtej kësaj, te arsimi i mesëm në gjuhën shqipe, është jashtëzakonisht i dobët edhe interesimi i nxënësve për arsimin e mesëm trevjeçar, sidomos për programet e reja të reformuara të këtij viti. Kështu, për shembull, paralelet trevjeçare për kujdestar dhe edukator fëmijësh në “Dimitar Vllahov” dhe teknik medicnal – kujdestar në “Pançe Karagjozov”, rrezikojnë të mos formohen nga muaji shtator nëse nuk plotësohen vendet e mbetura bosh nga dy paraqitjet e para të regjistrimit të nxënësve në afatin e parë.