Telegrafi

Shqiptarët, më të varfër se 100 vjet më parë

Në vitin 1910 të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin sa 25 për qind e BE-së edhe pse ky organizëm nuk ishte krijuar akoma.

Në 2007 shifra është 24 për qind, duke dëshmuar se ëndrra evropiane e mirëqenies është shumë e largët sesa 98 vjet më parë.

Të dhënat e fundit zyrtare të Institutit Evropian të Statistikës tregojnë se shqiptarët vazhdojnë të jenë populli më i varfër në Evropë.

Në një raport të fundit të publikuar vetëm një ditë më parë, Eurostat, ka llogaritur treguesit e mirëqenies, veç 27 vendeve të Bashkimit Evropian edhe të disa vendeve të Ballkanit.

Sipas Eurostat, një shqiptar ka mesatarisht të ardhura në vit 4 herë më pak se një qytetar i BE-së. Por jo vetem. Edhe fqinjë e Shqipërisë, kanë të gjithë një mirëqenie më të lartë.

Vendi me i dytë më i varfër pas Shqiperisë është Bosnja, ku të ardhurat për frymë janë sa 29 për qind e mesatarës së BE.

Maqedonia renditet e treta me 30 për qind, ndërsa Mali i Zi me 40 per qind.

Por ajo që është më shqetësuese, ka të bëjë me faktin se pavaresisht se Shqiperia ka ndër rritjet më të larta ekonomike në rajon, të ardhurat për frymë në vend kundrejt mesatares së BE-së po rriten shumë ngadalë, madje tre herë më pak se ato të disa fqinjëve.

Në vitin 2005 treguesi i të ardhurave për frymë në Shqipëri ishte 22 për qind. Në 2006 arriti 23 për qind dhe në 2007, 24 për qind. Me këto ritme qytetarët shqiptarë do jenë njëlloj të pasur me ata të BE-së pas plot 75 viteve.