Shqipëria ka nivelin më të lartë të konsumit të mishit të deles dhe dhisë për frymë në rajon dhe vjen ndër të parat në rang global, sipas të dhënave që burojnë nga metodologjia e konsumit që Organizata botërore e Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO).
Të dhënat që u referuan nga një studim i FAO-s për blegtorinë në Rajon tregojnë se një shqiptar konsumoi mesatarisht 8.68 kilogram mish dele dhe dhie në vit më 2020.
Konsumi në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte ndër më të ulëtit me mesatarisht 0.61 kg dhe 0.7 kg/frymë në vit, respektivisht, edhe më e ulët se mesatarja globale prej 1.99 kg/ frymë. Serbia dhe Mali i Zi kanë një konsum modest prej 3,3 kg dhe 2,38 kg/ për frymë në vit, secila.
Anketa me fermerët e dhive dhe deleve trego se mishi i të imtave është i fokusuar më së shumti në familjet që i mbarështojnë.
Studimi i FAO-s tregon se konsumi i Shqipërisë u zgjerua me shpejtësi deri në vitin 2019, kur nisi rënia. Kjo rënie në konsumin e mishit është shoqëruar edhe në uljen e numrit të bagëtive të imta që ka pësuar rënie të fortë vitet e fundit.
Serbia renditet e dyta pas Shqipërisë për konsumin e mishit te të imtave për frymë, por me prirje rritëse gjatë dekadës së fundit. Bosnja dhe Hercegovina ka pasur një konsum të ulët të vazhdueshëm të mishit të deles dhe të dhisë gjatë 2010-2019, në rreth 0.5 kg/frymë në vit.
Duke parë strukturën e përgjithshme të konsumit të mishit në Ballkanin Perëndimor vihen re trendë të ndryshme dhe Shqipëria nuk kryeson. Në vend të parë renditet Mali i Zi me 76,8 kg për frymë mish në vit, Serbia me 61,5 kg, Shqipëria 40.71 kg, Maqedonia e Veriut 37.8 kg dhe Bosnja dhe Hercegovina 37.8 kg.
Në Shqipëri mishi i gjedhit është më i konsumuari, i ndjekur nga shpendët, dhe mishi i deles dhe i dhisë. Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë strukturë konsumi të ngjashme ku shpendët zënë 50% të mishit të konsumuar.
Për Serbinë dhe Malin e Zi, mishi i derrit zë rreth 60 për qind të totalit të mishit të konsumuar për frymë, e ndjekur nga shpendët që përbëjnë 21 për qind dhe më pas mishi i gjedhit.
Studimi i FAO vë në dukje se numri i të imtave ka ardhur në rënie në Ballkan. Shqipëria, si vendi me numrin më të madh të të imtave në Rajon ka shënuar rënien më të madhe sidomos të deleve nga 1.97 milion krerë në 2016 në 1.48 milionë me 2021. Në të njëjtën periudhë, popullata e deleve në Serbi mbeti konstante, në rreth 1.7 milionë. /Telegrafi/