Telegrafi

Shqiptarët e veriut në frikë dhe skamje

Krahas pasigurisë së vazhdueshme fizike për shqiptarët në veri të qytettit të ndarë, Azemi thotë se shqetësuese është gjendja ekonomike në veriun e Mitrovicës, duke shtuar se papunësia është shumë e madhe.

“Shqiptarët në veri janë lodhur me këtë gjendje dhe kanë nevojë që jeta e tyre të normalizohet. Gjendja e tanishme është e paqëndrueshme dhe e rëndë sepse të gjitha strukturat e shtetit të Serbisë janë në këtë pjesë të Kosovës. Ne banorët e veriut nuk po vuajmë politikisht, por institucionalisht, që do të thotë se kemi nevojë për institucionet tona”, tha Azemi.

Ai ka thënë se banorët shqiptarë në Mitrovicën e Veriut, duhet të jenë vigjilent, sepse sipas tij, në atë pjesë mbizotëron një anarki totale.

“Këtu veprojnë bandat kriminale prej me të ndryshmëve dhe çdo gjë është e mundshme, mirëpo shqiptarët nuk guxojnë të bien pre e provokimeve”, tha ai.

Azemi shpreson që me përfundimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit, do të shuhen të gjitha strukturat paralele.

“Besoj që më në fund këto struktura do të shuhen, e nëse nuk shuhen atëherë shteti i Kosovës do të duhej ta përdorte edhe forcën nëse ka nevojë, për ta rikthyer rendin, ligjin dhe kushtetutshmërinë në këtë pjesë të vendit”, tha Azemi.

Ai ka thënë se i beson kryeministrit dhe institucioneve të republikës së Kosovës, dhe beson që çdo marrëveshje e arritur në Bruksel nuk do ta dëmtojë popullatën shqiptare në atë pjesë. /Telegrafi/.